Bujanoci në qendër të bashkëpunimit ekonomik mbarëshqiptar/Video
Alban Selimi|RTK
Bujanoci është bërë sot nikoqir i edicionit të katërt të konferencës ekonomike “Ekonomia shpëton Luginën”, ku janë mbledhur afaristë, investitorë dhe përfaqësues institucionalë nga Lugina e Preshevës, Kosova, Shqipëria dhe diaspora.
Konferenca është organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare, Unioni i Afaristëve të Luginës dhe Komuna e Bujanocit, me synimin për të nxitur bashkëpunimin ekonomik dhe investimet në Luginën e Preshevës.
Gjatë konferencës është diskutuar për mundësitë e zhvillimit ekonomik të rajonit, rolin e bizneseve shqiptare dhe kontributin e diasporës në sjelljen e kapitalit të ri dhe krijimin e vendeve të punës.
Pjesëmarrësit kanë vënë theksin edhe te nevoja për krijimin e urave të qëndrueshme të bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e mundësive për eksport drejt tregjeve evropiane.
Në fokus të diskutimeve ka qenë edhe gjendja politike dhe demografike në Luginën e Preshevës, ndërsa investimet ekonomike janë vlerësuar si një prej mënyrave për të krijuar perspektivë më të mirë për banorët e këtij rajoni.
Kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti, dhe kryetari i Unionit të Afaristëve të Luginës, Xhelal Mehmeti, kanë folur për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve dhe institucioneve.
Në konferencë ka marrë pjesë edhe ambasadori dhe shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, ndërsa për rëndësinë e zhvillimit ekonomik ka folur edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve i është kushtuar diasporës shqiptare dhe rolit të saj në investimet në Luginën e Preshevës.
Biznesmeni nga Lugina, i cili vepron në Gjermani, Lulzim Maliqi, ka folur për mundësitë që ofron diaspora për sjelljen e kapitalit dhe lidhjen e bizneseve të Luginës me tregjet evropiane.
Organizatorët kanë theksuar se qëllimi i konferencës është që diskutimet dhe bashkëpunimi ndërmjet afaristëve të përkthehen në projekte konkrete dhe investime në terren.
Sipas tyre, fuqizimi ekonomik i Luginës së Preshevës është i rëndësishëm për zhvillimin e rajonit dhe krijimin e mundësive të reja për banorët e tij.























