Starship arrin orbitën për herë të parë, vendos 26 satelitë Starlink
BKT
Tech

Starship arrin orbitën për herë të parë, vendos 26 satelitë Starlink

G.K/RTKlive

Raketa e gjeneratës së re Starship e SpaceX arriti orbitën për herë të parë të hënën, pavarësisht se një nga motorët u fik papritur gjatë fluturimit, ndërsa vendosi 26 satelitë të rinj Starlink. Misioni përfundoi disa orë më herët se sa ishte planifikuar, raporton Reuters.

Misioni ishte planifikuar të zgjaste 10 orë, por u reduktua në tri orë pas problemit me motorin. Fluturimi nga Teksasi ishte i 14-ti i Starship që nga viti 2023.

Raketa Super Heavy ngriti pjesën e sipërme Starship në hapësirë, përpara se të kthehej në ujërat e Gjirit për një ulje të kontrolluar me motorë.

Pasi arriti në hapësirë, një nga tre motorët kryesorë të Starship u fik para kohe. Zëdhënësi i SpaceX, Dan Huot, fillimisht njoftoi se anija nuk do të mund të arrinte orbitën.

“Ekipi ka marrë vendimin që të mos angazhohet për orbitë”, tha Huot.

Megjithatë, disa minuta më vonë, pas një përditësimi nga inxhinierët, u konfirmua se Starship mund të provonte një ndezje të motorit për ta futur në orbitë, gjë që u realizua me sukses.

Pasi arriti orbitën, Starship vendosi një nga një 26 satelitë të gjeneratës së re Starlink, në një lartësi prej rreth 269 kilometrash.

“Të 26 satelitët operacionalë Starlink V3 janë vendosur dhe po funksionojnë normalisht”, shkroi Elon Musk në X.

Starship përfundoi fluturimin me një zbritje të kontrolluar në Oqeanin Paqësor. Anija u kthye në pozicion vertikal përpara se të prekte sipërfaqen e detit, ndërsa baza e saj u përfshi nga flakët dhe më pas u shfaq një shpërthim i madh.

Sipas Reuters, Starship është ndërtuar për të mundësuar lëshimin më të shpeshtë të satelitëve Starlink dhe për të kryer në të ardhmen misione të NASA-s drejt Hënës.

Të 13 fluturimet e mëparshme testuese të Starship, që nga viti 2023, kishin qenë të kufizuara në hapësirën suborbitale.

Satelitët Starlink V3 të vendosur të hënën mund të përpunojnë 10 herë më shumë të dhëna se satelitët V2 mini, sipas SpaceX.

Starship pritet gjithashtu të ketë rol të rëndësishëm në programin Artemis të NASA-s, i cili synon kthimin e astronautëve në sipërfaqen e Hënës për herë të parë që nga viti 1972. 


MË SHUME NGA Tech