Sistem i ri për prodhimin e energjisë, shfrytëzon erërat në lartësi të mëdha
Luan Qorraj /RTK
Shkencëtarët kinezë kanë testuar me sukses një sistem të ri për prodhimin e energjisë elektrike, i cili shfrytëzon një balonë gjigante të mbushur me helium për të ngritur një gjenerator në lartësi të mëdha. Teknologjia synon të shfrytëzojë erërat më të fuqishme dhe më të qëndrueshme në shtresat e larta të atmosferës, duke i shndërruar ato në energji elektrike.
Një grup shkencëtarësh kinezë ka përfunduar me sukses testimin e sistemit të ri, i cili përdor një balonë të madhe të mbushur me helium për të ngritur një gjenerator elektrik në ajër. Ky i fundit shfrytëzon fuqinë e erërave për të prodhuar energji elektrike, e cila më pas përcillet në tokë përmes një kablli.
Ky sistem për prodhimin e energjisë në lartësi të mëdha parashihet të qëndrojë në një lartësi prej rreth 4 mijë metrash, ku do të shfrytëzojë erërat për të prodhuar nga 10 deri në 35 kilovat energji elektrike. Sipas parashikimeve, sistemi është projektuar të funksionojë për një periudhë deri në 20 vjet.
Sipas krijuesve të tij, kjo teknologji mund të përdoret në vende të ndryshme të botës, pasi erërat në lartësi të mëdha paraqesin një potencial të konsiderueshëm për prodhimin e energjisë elektrike.























