Fuqia punëtore, sfidë për bizneset në Kosovë|VIDEO
BKT
Ekonomi

Fuqia punëtore, sfidë për bizneset në Kosovë|VIDEO

Arbana Hajredinaj/RTK

Mungesa e fuqisë punëtore dhe largimi i punonjësve nga Kosova ishin në fokus të një tryeze të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane. Bizneset kërkojnë përshtatjen e arsimit me nevojat e tregut të punës.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar Tryezën Kombëtare për Zhvillimin e Fuqisë Punëtore, ku u diskutua për mungesën e punëtorëve, largimin e tyre nga vendi dhe sfidat e bizneseve.

Në fokus ishte edhe përshtatja e arsimit me kërkesat e tregut të punës dhe përfshirja më e madhe e sektorit privat në këtë proces.

“Kemi vënë re që dy vite para pandemisë dhe në vitet pas pandemisë, kemi pasur një rritje të interesit të punonjësve për sektorin privat”, tha  Arian Zeka, drejtor Ekzekutiv i OEAK-ut.

Diskutimet u përqendruan edhe tek arsimi profesional dhe nevoja për ta lidhur atë më ngushtë me tregun e punës.

Ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, tha se synimi është bashkëdrejtimi i arsimit profesional nga institucionet dhe sektori privat.

“Tani duhet të kalojmë në nivelin tjetër, sepse synimi ynë është bashkëdrejtimi i sistemit të arsimit dhe aftësimit profesional me institucionet e shtetit dhe sektorin privat”, tha  Çeku.

Në tryezë u diskutua edhe për përfshirjen e bizneseve në hartimin e programeve profesionale dhe për një lidhje më të drejtpërdrejtë mes universiteteve, industrisë dhe nevojave të tregut të punës.


MË SHUME NGA Ekonomi