Ekspertët bëjnë thirrje për kujdes ndaj shëndetit të zemrës
K. K. / RTKlive
Sëmundjet kardiovaskulare vazhdojnë të jenë ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve në botë dhe në Kosovë. Me rastin e Ditës Botërore të Zemrës, specialistët e shëndetësisë kanë bërë thirrje për më shumë kujdes ndaj shëndetit të zemrës, kontrolle të rregullta mjekësore dhe parandalim të faktorëve të rrezikut.
Në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, Valbona Maloku, specialiste e Shëndetësisë Publike në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), dhe Afrim Poniku, kardiolog në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), kanë diskutuar për rëndësinë e ndërgjegjësimit, faktorët që ndikojnë në shëndetin e zemrës dhe mënyrat e parandalimit të sëmundjeve kardiovaskulare.
Maloku ka thënë se Dita Botërore e Zemrës, e cila shënohet më 29 shtator, shërben si një mundësi për të rritur vetëdijen e qytetarëve për kujdesin dhe mbrojtjen e shëndetit të zemrës.
Ajo ka bërë me dite se IKSHPK-ja, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, qendrat rajonale të shëndetësisë publike dhe qendrat kryesore të mjekësisë familjare, organizon aktivitete të ndryshme ndërgjegjësuese.
Sipas saj, motoja e fushatës së këtij viti është “Vepro me zemër, mbaj ritmin”, përmes së cilës qytetarët inkurajohen të ndërmarrin hapa konkretë për përmirësimin e shëndetit të zemrës dhe të mos neglizhojnë shenjat paralajmëruese.
Duke folur për faktorët e rrezikut, Maloku ka përmendur diabetin, hipertensionin, duhanpirjen, pasivitetin fizik, mbipeshën dhe yndyrat e larta në gjak.
Ajo ka theksuar se një pjesë e madhe e këtyre faktorëve mund të menaxhohen përmes ndryshimit të stilit të jetesës, ushqyerjes së shëndetshme, aktivitetit fizik dhe kontrolleve të rregullta mjekësore.
Ndërkaq, kardiologu Afrim Poniku ka tërhequr vëmendjen për rritjen e rasteve të sëmundjeve kardiovaskulare, përfshirë edhe te moshat e reja.
Ai ka theksuar se mënyra e çrregullt e jetesës, mungesa e aktivitetit fizik, duhanpirja, pagjumësia, përdorimi i substancave narkotike dhe steroideve mund të ndikojnë në shfaqjen e problemeve me zemrën.
Poniku ka nënvizuar rëndësinë e aktivitetit fizik, duke rekomanduar ecjen së paku 40 minuta në ditë, pesë ditë në javë, gjithmonë duke e përshtatur atë me moshën, gjendjen shëndetësore dhe kapacitetin fizik të secilit individ.
Ai ka paralajmëruar se dhimbja në gjoks, rrahjet e parregullta të zemrës, lodhja e pazakontë dhe vështirësitë progresive në frymëmarrje janë shenja që nuk duhet të neglizhohen dhe që kërkojnë konsultim me mjekun.
Sipas të dhënave të prezantuara nga Maloku, rreth 19.8 milionë njerëz kanë vdekur në botë si pasojë e sëmundjeve kardiovaskulare gjatë vitit 2022, që përbën rreth 32 për qind të të gjitha vdekjeve.
Ndërsa, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2022, sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut ishin shkaku kryesor i vdekjeve në vend, me 3 mijë e 956 raste.
Të dy profesionistët kanë theksuar se parandalimi, diagnostikimi i hershëm dhe menaxhimi i faktorëve të rrezikut janë thelbësorë për zvogëlimin e numrit të rasteve dhe vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare.
Me këtë rast, Maloku ka njoftuar se në sheshin e Prishtinës do të organizohet një aktivitet edukativ shëndetësor, ku qytetarët do të kenë mundësi të matin tensionin arterial, nivelin e glikemisë dhe saturimin e oksigjenit, si dhe të marrin këshilla dhe materiale informuese për kujdesin ndaj shëndetit të zemrës.
Aktivitete të ngjashme do të organizohen edhe në qendrat rajonale të Kosovës.























