Mbahet Forumi Kosovë–Luksemburg për Financimin me Ndikim
RTKLive
Politikëbërës, institucione financiare, investitorë, biznese dhe ekspertë ndërkombëtarë nga Kosova dhe Luksemburgu u mblodhën në Prishtinë për Forumin Kosovë–Luksemburg “Financimi për Ndikim”.
Gjatë kësaj ngjarje u shqyrtuan mënyra konkrete për mobilizimin e investimeve private për tranzicionin ekonomik dhe energjetik të Kosovës.
Pjesëmarrësve të Forumit iu drejtua përmes një videomesazhi Xavier Bettel, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, si dhe Ministër për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare i Luksemburgut.
Në hapje të Forumit, Eric Dietz, Shef i Misionit të Ambasadës së Dukatit të Madh të Luksemburgut në Prishtinë, theksoi mundësinë për të forcuar lidhjet ndërmjet ekosistemeve financiare të Kosovës dhe Luksemburgut dhe për t’i kthyer këto lidhje në investime, inovacion dhe zhvillim ekonomik. Ai theksoi se përvoja e Luksemburgut ofron një bazë për shkëmbim dhe bashkëpunim praktik, të përshtatur me prioritetet dhe kontekstin e Kosovës.
Diskutimet u përqendruan në mënyrën se si Kosova mund t’i shndërrojë nevojat për investime dhe prioritetet e tranzicionit në projekte që mund të tërheqin kapital privat në shkallë më të gjerë. Vetëm zbatimi i Strategjisë së Energjisë së Kosovës vlerësohet se kërkon rreth 3 miliardë euro investime.
Kosova synon të arrijë 1.600 MW kapacitet të instaluar nga burimet e ripërtëritshme të energjisë deri në vitin 2031 dhe të sigurojë të paktën 35 për qind të konsumit të energjisë elektrike nga këto burime.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi kalimin e Kosovës nga planifikimi strategjik drejt zbatimit, përmes përpjekjeve për të rritur prodhimin vendor të energjisë nga burimet e ripërtëritshme dhe për të përmirësuar efiçiencën e energjisë. Ajo veçoi ankandet konkurruese duke përmendur projektet aktuale të energjisë solare me investime private në vlerë prej 70 milionë eurosh, si dhe përparimin drejt finalizimit të ankandit të parë për energjinë e erës, i cili pritet të mobilizojë 100 milionë euro për një projekt me kapacitet prej 100 MW.
Ankandet e planifikuara për energjinë e ripërtëritshme, të mbështetura përmes bashkëpunimit me Luksemburgun, pritet të sjellin rreth 200 MW kapacitete të reja dhe mbi 200 milionë euro investime private.
Ministrja gjithashtu theksoi punën në efiçiencën e energjisë, potencialin për ruajtjen e energjisë përmes hidrocentraleve me pompim, mbështetjen për bizneset përmes Skemës së Granteve për Energji të Pastër në vlerë prej 1 milion eurosh, si dhe përpjekjet për të forcuar bazën institucionale dhe rregullatore për investime.
Ndërkohë, ministri i Financave, Hekuran Murati, theksoi rëndësinë e diversifikimit të burimeve të financimit për tranzicionin energjetik, duke e përshkruar financimin e qëndrueshëm dhe zhvillimin e tregjeve të kapitalit në Kosovë si dy pjesë të së njëjtës agjendë. Ai e cilësoi tranzicionin e gjelbër si një investim në sigurinë energjetike, konkurrueshmërinë, qëndrueshmërinë ndaj krizave dhe rritjen afatgjatë të Kosovës, krahas kontributit të tij në dekarbonizim.
Në fjalimin e saj, Chiara Caprioli, Drejtuese Rajonale për Evropën Jugore, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Bursën e Luksemburgut, trajtoi mënyrën se si tregjet e kapitalit mund të kontribuojnë në mobilizimin e financimit afatgjatë. Ajo theksoi rëndësinë e gatishmërisë institucionale, kornizave të besueshme, transparencës dhe zhvillimit gradual të tregut.
Dy panele të nivelit të lartë shqyrtuan më pas kushtet e nevojshme për mobilizimin e investimeve. Paneli i parë, “Mobilizimi i kapitalit për tranzicionin e Kosovës: Ndërtimi i ekosistemit financiar”, mblodhi përfaqësues të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bursës së Luksemburgut, Institutit Global për Rritje të Gjelbër dhe Nismës së Luksemburgut për Financa të Qëndrueshme. Paneli i dytë, “Nga inovacioni te investimet: Zgjerimi i qasjes në financim të gjelbër”, mblodhi përfaqësues të Luxembourg House of Financial Technology, ProCredit Bank Kosovo, Fondit Kosovar për Garanci Kreditore dhe T- Blocks International.
Diskutimi u përqendrua në mënyrën se si institucionet financiare, garancitë, teknologjia financiare dhe strukturat e investimeve mund të ndihmojnë në tejkalimin e pengesave praktike në financim.
Forumi është nismë e Ambasadës së Dukatit të Madh të Luksemburgut në Prishtinë dhe organizohet në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave të Kosovës. Ai është gjithashtu pjesë e projektit “Tranzicioni Energjetik dhe Zbutja e Ndryshimeve Klimatike në Kosovë”, i financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe i zbatuar nga LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.
Programi i Forumit vazhdon më 1 tetor me shkëmbime teknike mbi tregjet e kapitalit, obligacionet e qëndrueshme dhe inovacionin financiar, të pasuara nga shkëmbime të tjera me sektorin bankar të Kosovës më 2 tetor.
Forumi synon të krijojë një bazë për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Luksemburgut, përfshirë shkëmbimet teknike, ngritjen e kapaciteteve, partneritetet institucionale dhe shqyrtimin e mundësive konkrete për mobilizimin e investimeve.























