Nis eksporti i parë nga Kosova drejt tregut të EFTA-s, hiqen tarifat industriale
Arbresha Berisha / RTK
Pakoja e parë nga Kosova drejt tregut të EFTA-s u nis sot, me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë.
Prodhuesit dhe kompanitë vendore tani e tutje do të kenë lehtësira për shitjen e mallrave dhe shërbimeve në Zvicër, Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtajn, ndërsa për eksportin e produkteve industriale nuk do të ketë më tarifa doganore.
"Ne kemi pasur importe nga këto vende edhe më parë. Sa i përket importit, nuk do të ndikojë, por eksporti është shumë i rëndësishëm, sepse eksporti e rrit punësimin në Kosovë dhe e rrit standardin e punëtorëve të punësuar. Ne kemi mbështetje nga institucionet, mirëpo duhet një mbështetje më e madhe sa i përket inspektimeve, që kompanitë kosovare ta ngrisin standardin dhe nivelin për të eksportuar në këto vende“, tha Burim Piraj, pronar i kompanisë.
Marrëveshja synon ta rrisë eksportin e mallrave, t’i promovojë investimet e huaja dhe ta avancojë inovacionin.
Ajo krijon mundësi edhe për tregtinë e shërbimeve të teknologjisë së informacionit, shërbimeve profesionale, biznesore, të transportit, ndërtimit dhe shërbimeve të tjera.
"Pas tetorit, përfaqësues të bizneseve paralajmërojnë edhe më shumë investime në Kosovë nga shtetet e tjera", tha Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
"Për shkak të numrit të madh të mërgimtarëve në Zvicër dhe Norvegji, ndër vite kërkesa për produkte kosovare në këto vende ka qenë e madhe", tha Kushtrim Ahmeti, drejtor ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.























