Jagxhiu diskuton me British Council për digjitalizimin e arsimit dhe AI
BKT
Ekonomi

Jagxhiu diskuton me British Council për digjitalizimin e arsimit dhe AI

G.K/RTKlive

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, ka diskutuar me përfaqësues të British Council për digjitalizimin e arsimit, përdorimin e inteligjencës artificiale dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha si siguria kibernetike.

Gjatë takimit, sipas Jagxhiut, është diskutuar për prioritetet e transformimit digjital, me fokus në shtyllat kryesore të digjitalizimit të arsimit: infrastrukturën digjitale në shkolla, sistemin qendror për menaxhimin e procesit mësimor, materialet mësimore digjitale dhe zhvillimin e kompetencave digjitale të mësimdhënësve dhe nxënësve.

Ai ka bërë të ditur se është diskutuar gjithashtu për integrimin e inteligjencës artificiale në arsim dhe zhvillimin e aftësive të nevojshme për përdorimin e saj.

Jagxhiu ka falënderuar British Council për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës ndër vite, veçanërisht përmes programit “Shkollat e Shekullit 21”, i cili, sipas tij, ka kontribuar në zhvillimin e shkathtësive të kodimit, mendimit kritik dhe zgjidhjes së problemeve.

“Përmes këtij programi janë trajnuar mësimdhënës dhe drejtues shkollash, ndërsa 625 shkolla publike janë pajisur me mbi 18,000 pajisje micro:bit, duke u krijuar nxënësve mundësi për mësimin praktik të kodimit”, ka thënë Jagxhiu.

Ai ka bërë të ditur se është diskutuar edhe për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen, përfshirë modalitetet për vazhdimin e këtij programi në Kosovë, duke ndërtuar mbi rezultatet e deritanishme dhe duke e zgjeruar programin në fusha të reja, si inteligjenca artificiale dhe siguria kibernetike, për t’i pajisur nxënësit me shkathtësitë që kërkon e ardhmja digjitale.

 


MË SHUME NGA Ekonomi