Takim biznesi në Kehl, 450 kompani krijojnë ura bashkëpunimi
Faton Salihu /RTK
Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane organizoi takimin e biznesit dhe partneritetit në Kehl të Gjermanisë, ku morën pjesë rreth 450 biznese nga Kosova, Gjermania, Zvicra dhe Franca. Qëllimi i këtij takimi ishte krijimi i kontakteve të reja si dhe thellimi i bashkëpunimit ekonomik, duke vlerësuar se vetëm kjo garanton suksesin dhe zhvillimin ekonomik.
Rreth 450 biznese u bashkuan në Kehl të Gjermanisë në takimin e biznesit dhe partneritetit të organizuar nga Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane.
Kryetari i Bordit të Unionit, Zenun Krasniqi, theksoi se qëllimi i këtij takimi është krijimi i urave të bashkëpunimit, ura që lidhin bizneset, krijojnë partneritete të reja dhe hapin mundësi të reja për investime dhe zhvillim.
Në këtë takim ekonomik, ku kishte biznese nga Kosova, Gjermania, Zvicra dhe Franca, ishte edhe ministrja Mimoza Kusari-Lila, e cila theksoi se Unioni i Bizneseve është dëshmi e fuqisë që ka diaspora jonë kur rrjetëzohet, bashkëpunon dhe ndërton ura, derisa prezantoi edhe mundësitë dhe përparësitë e Kosovës për investime.
Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, e vlerësoi me rëndësi të madhe këtë ngjarje në thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dyja shteteve.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Kehlit, drejtori i GIZ-it për Kosovë, konsulli i përgjithshëm i Kosovës në Shtutgart, ambasadori i Kosovës në Strasburg, si dhe shumë përfaqësues të institucioneve të ndryshme financiare e biznesore. Në takim pati edhe prezantime të kompanive nga Kosova, Shqipëria e Gjermania.























