Ismaili në takimet e FMN-së dhe Bankës Botërore: Në fokus stabiliteti financiar
BKT
Ekonomi

Ismaili në takimet e FMN-së dhe Bankës Botërore: Në fokus stabiliteti financiar

V.Th / RTKLive

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, ka marrë pjesë në sesionin plenar të Takimeve Vjetore 2026 të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Grupit të Bankës Botërore, të mbajtura në Bangkok.

Sipas njoftimit të BQK-së, në këtë sesion u diskutua për perspektivën ekonomike globale, pasiguritë gjeopolitike dhe presionet inflacioniste, si dhe për rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe forcimit të qëndrueshmërisë së sistemeve financiare.

Në adresimet kryesore folën presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Ajay Banga, drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva, dhe kryesuesi i Takimeve Vjetore, njëherësh president i Bankës Qendrore të Paraguait, Carlos Carvallo Spalding.

Diskutimet përfshinë edhe mobilizimin e kapitalit privat, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e qasjes në financim për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. Po ashtu, u trajtuan mundësitë që ofron inteligjenca artificiale për rritjen e produktivitetit, si dhe nevoja për menaxhimin e rreziqeve teknologjike dhe forcimin e sigurisë kibernetike.

Sipas BQK-së, pjesëmarrja e guvernatorit Ismaili në këto takime është pjesë e angazhimit të institucionit në përcjelljen e zhvillimeve dhe politikave globale me rëndësi për sistemin financiar të Kosovës.

BQK-ja ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ruajtjen e stabilitetit financiar, avancimin e reformave institucionale dhe rregullative, si dhe forcimin e bashkëpunimit me FMN-në, Grupin e Bankës Botërore dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.


MË SHUME NGA Ekonomi