AZHB-ja do t’i rishqyrtojë aplikimet për subvencionimin e grurit
E.Hoti/RTKlive
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), ka njoftuar se një numër i vogël i fermerëve, të cilëve u janë refuzuar aplikimet për subvencionimin e grurit sipas sasisë së prodhuar në kilogramë, do t’i nënshtrohen rishqyrtimit administrativ.
Sipas njoftimit të ministrisë, gjatë përpunimit të aplikimeve është evidentuar një gabim teknik në sistem, si pasojë e të cilit disa fermerë kanë pranuar vendime për refuzimin e aplikimeve të tyre.
AZHB-ja ka bërë të ditur se rastet e prekura do të trajtohen në përputhje me kriteret e përcaktuara në Udhëzimin Administrativ Nr. 02/2026 për Pagesat Direkte, si dhe në bazë të dokumentacionit të dorëzuar nga fermerët gjatë aplikimit.
Pas përfundimit të procesit të rishqyrtimit, aplikimet do të procedohen sipas kritereve dhe kërkesave të përcaktuara me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
Në fund, AZHB-ja ka kërkuar mirëkuptimin e fermerëve, duke i siguruar se rastet do të trajtohen me kujdesin e duhur dhe në përputhje me procedurat përkatëse.























