Gërvalla dhe Vitia vizitojnë Qendrën Korrektuese në Lipjan
Sh.G|RTKlive
Në kuadër të aktiviteteve të Muajit Rozë, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe zëvendësministri Arsim Berisha, vizituan Qendrën Korrektuese për Gra në Lipjan, ku po realizohen ekzaminime përmes mamografit mobil.
Gjatë vizitës, ata u pritën nga drejtori i qendrës, Ylber Topalli, i cili i njoftoi për kushtet në këtë institucion dhe aktivitetet që organizohen për gratë që qëndrojnë aty.
Delegacioni vizitoi edhe hapësirat ku profesionistët shëndetësorë ofrojnë shërbime mjekësore, duke u njohur nga afër me procesin e realizimit të ekzaminimeve.
Ofrimi i mamografisë në Qendrën Korrektuese për Gra në Lipjan është pjesë e aktiviteteve të Muajit Rozë, me qëllim të afrimit të shërbimeve shëndetësore me gratë dhe krijimit të mundësive për qasje më të lehtë në ekzaminimet për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Përmes këtyre aktiviteteve synohet të promovohet rëndësia e kujdesit parandalues dhe e kontrolleve të rregullta shëndetësore, duke mundësuar që edhe gratë në institucionet korrektuese të kenë qasje në shërbime të nevojshme për shëndetin e tyre.























