Kosova synon tërheqjen e investimeve amerikane në sektorin minerar /Video
BKT
Ekonomi

Kosova synon tërheqjen e investimeve amerikane në sektorin minerar /Video

Valjete Shala / RTK

Në Prishtinë u mbajt diskutim me temën “Sektori minerar dhe lëndët e para kritike në Kosovë”, mundësitë e investimeve për bizneset amerikane", organizuar nga Komiteti i Grave në Energji dhe Miniera në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Zëvendësministrja e Ekonomisë, Triera Kasumi Berisha, tha se synimi është që zhvillimi i sektorit minerar të fuqizojë industrinë vendore, duke veçuar ndërmarrjen Trepça si aset strategjik.

“Synimi ynë është që zhvillimi i mineraleve dhe minierave të fuqizojë industrinë vendore dhe të krijojë më shumë mundësi për përpunimin e vlerës së shtuar brenda Republikës së Kosovës. Trepça zë një vend të veçantë në këtë vizion si aset strategjik i Republikës, ajo mban rëndësi ekonomike, shoqërore dhe historike”, ka thënë  Kasumi-Berisha.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, Arben Mustafa, deklaroi se ndër prioritetet duhet të jetë krijimi i kushteve të favorshme për investitorët.

“Synimi ynë është që procedurat të jenë më të thjeshta, afatet të jenë më të qarta dhe siguria juridike të jetë më e madhe, në mënyrë që investitorët të kenë kushte të parashikueshme për të investuar dhe për të zhvilluar biznesin e tyre”, ka thënë Mustafa.

Edhe përfaqësues të institucioneve dhe të universiteteve theksuan nevojën për investime, modernizim teknologjik dhe bashkëpunim.


MË SHUME NGA Ekonomi