Kusari-Lila: 1 milion euro për gratë ndërmarrëse në fushën e inovacionit
BKT
Ekonomi

Kusari-Lila: 1 milion euro për gratë ndërmarrëse në fushën e inovacionit

G.K/RTKlive

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në Takimin e 11-të Konsultativ të Nivelit të Lartë, ku ka diskutuar për fuqizimin ekonomik të grave, mundësitë e barabarta dhe mbështetjen për ndërmarrësinë

“Fuqizimi ekonomik i grave dhe krijimi i mundësive të barabarta kanë rëndësi të veçantë për shoqërinë”, ka shkruar Kusari-Lila.

Ajo ka bërë të ditur se në takim, të organizuar me ftesë të Agjencisë për Barazi Gjinore, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, ka diskutuar së bashku me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme.

Kusari-Lila ka theksuar se mbështetja për gratë duhet të përkthehet në mundësi konkrete për krijimin dhe zhvillimin e bizneseve.

Në këtë drejtim, ajo ka veçuar skemën prej 1 milion eurosh për gratë ndërmarrëse në fushën e inovacionit, e cila është hapur më 23 tetor 2026.

Po ashtu, ministrja është ndalur te financimi i organizatave të shoqërisë civile dhe ndryshimet që synohen të realizohen përmes Fondit të Inovacionit dhe ndryshimeve në Rregulloren 18/1.

Ajo ka bërë të ditur se një tjetër fushë ku do të angazhohen së bashku me Ministrinë e Punës, Familjes, Mirëqenies dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare gjatë vitit 2027 është ndërmarrësia sociale.

“Synimi është të ndërthurim aktivitetin ekonomik me përfitimin shoqëror, duke krijuar vende pune dhe mundësi për përfshirjen në tregun e punës të grupeve që përballen me më shumë vështirësi”, ka shkruar ajo.

Sipas Kusari-Lilës, ndërmarrësia sociale mund të luajë rol të rëndësishëm edhe në ruajtjen e vazhdimësisë së bizneseve që rrezikojnë të mbyllen, përmes mundësimit të bartjes së veprimtarisë te ndërmarrës të tjerë. 


MË SHUME NGA Ekonomi