VIDEO-Kosova krahasohet me vendet e BE-së për vaksinim
Këtë javë po mbahet “Java e imunizimit”.
Java Botërore e Imunizimit (24 -30 prill) në Kosovë synon që përmes aktiviteteve të organizuara të rris vetëdijesimin për imunizim.
Vaksinimi në shkallë prej mbi 95% të fëmijëve në Kosovë, flet për një sukses të përbashkët të MSh-së, IKSHKP-së, UNICEF-it, OBSH-së, si dhe profesionistëve shëndetësor e prindërve kosovarë, thuhet në një njoftim për media të Ministrisë së Shëndetësisë.
Edita Goranci-Haxhija-epidemiologe në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), tha se sot në Kosovë vaksinimi është mbi 95 % dhe Kosova mund të konkurron me shtetet e BE-së. “Mesatarja është mbi 95 % e vaksinimit në Kosovë. Pragu është 95 % dhe për Kosovën është arritje”, tha ajo sot në “Studio e Hapur”, në RTK3.
Ajo ka bërë të ditur procedurat e vaksinimit të fëmijëve që nga lindja e fëmijës. “Vaksinimi në Kosovë është i obliguar me ligj dhe të gjithë fëmijët duhet të vaksinohen”, tha ajo.
Ndryshe gjatë vitit 2019, Ministria e Shëndetësisë ka ndarë 539.000 euro për sigurimin e vaksinave nga kalendari i vaksinimit të obliguar me ligj dhe 350.000 euro për vaksinat sipas indikacioneve epidemiologjike.























