IKShPK: 336 raste me fruth në Kosovë, mbi 95% e të prekurve të pavaksinuar
K. K. / RTKlive
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se numri i rasteve me fruth në vend ka arritur në 336, prej të cilave 37 janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit.
Sipas të dhënave të publikuara nga IKShPK-ja, rastet janë konfirmuar gjatë periudhës 16 prill – 15 nëntor 2026.
"Raste të fruthit janë regjistruar tek qytetarë, pjesa dërmuese fëmijë, nga 24 komuna të Kosovës", theksohet në njoftim.
IKSHPK ka thënë se mbi 95% e rasteve të konfirmuara i përkasin personave të pavaksinuar me vaksinën MMR, që mbron nga fruthi, parotiti dhe rubeola.
“Këto të dhëna theksojnë rëndësinë e vaksinimit si masa kryesore për parandalimin e sëmundjes dhe kufizimin e përhapjes së saj. Fruthi është sëmundje shumë ngjitëse, e cila mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël. Vaksinimi me kohë i mbron fëmijët nga kjo sëmundje dhe ndihmon në mbrojtjen e komunitetit, përfshirë foshnjat dhe personat që, për arsye shëndetësore, nuk mund të vaksinohen. Krahas vaksinimit sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit, IKShPK, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore, po vazhdon vaksinimin plotësues (catch-up) për fëmijët që kanë mbetur pavaksinuar ose nuk i kanë marrë të dy dozat e parapara”, thuhet tutje në njoftimin e IKSHPK-së.
Sipas IKSHPK-së, gjatë këtij viti, përmes këtyre aktiviteteve janë vaksinuar mbi 4.120 fëmijë të grupmoshës 2–5 vjeç.























