Qeveria britanike dëshiron miratimin e Brexit-it para muajit korrik
BKT
   Bota

Qeveria britanike dëshiron miratimin e Brexit-it para muajit korrik

Qeveria britanike dëshiron që marrëveshja për daljen e vendit nga Bashkimi Evropian të miratohet para hapjes së sesionit të ri të Parlamentit Evropian në muajin korrik.

Kështu tha ministri i Kabinetit qeveritar, David Lidington, sipas të cilit, bisedimet me opozitën laburiste për marrëveshjen e Brexit-it deri më tani janë të frytshme, transmeton REL.

Megjithatë, ai tha se nuk mund të japë një datë të saktë se kur mund të rikthehet për votim në parlamentin britanik marrëveshja e dakorduar me Bashkimin Evropian. Data e saktë, sipas tij, varet nga bisedimet që po zhvillohen me Partinë Laburiste.

Marrëveshja tashmë është refuzuar tri herë nga ana e ligjvënësve britanikë. Kjo ka bërë që kryeministrja, Theresa May, përmes vizitave të shpeshta në vendet evropiane të kërkojë shtyrjen e afatit për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Më 11 prill, kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian u pajtuan për shtyrjen e datës së Brexit-it, apo të daljes së Britanisë nga BE-ja, deri më 31 tetor.