Algjeri, ish-kryeministri në gjykatë lidhur me akuzat për korrupsion
BKT
   Bota

Algjeri, ish-kryeministri në gjykatë lidhur me akuzat për korrupsion

Ouyahia përballet me akuza të shumta, duke përfshirë “shpërdorimin e fondeve publike” dhe “dhënien e privilegjeve joligjore".

Ish-kryeministri i Algjerisë, Ahmed Ouyahia, sot është paraqitur në gjykatë për t’iu përgjigjur akuzave për korrupsion, njoftoi televizioni shtetëror në këtë vend.

Ouyahia udhëheq me partinë Tubimi Kombëtar Demokratik (RND), partinë e dytë më të madhe në Kuvend ndërsa ai përballet me akuza të shumta, përfshirë “shpërdorimin e fondeve publike” dhe “dhënien e privilegjeve joligjore”.

Të hënën, ministri algjerian i Financave, Mohamed Loukal dhe ish-shefi i policisë, Abdelghani Hamel, u paraqitën në gjykatë për t’u përgjigjur ndaj akuzave të ngjashme.

Javën e kaluar, autoritetet algjeriane ndaluan disa biznesmenë të afërt me ish-presidentin Abdelaziz Bouteflika, për t’i marrë në pyetje rreth akuzave për korrupsion.

Më herët këtë muaj, 82-vjeçari Bouteflika njoftoi dorëheqjen e tij pas protestave disa javore kundër qeverisjes së tij.

Abdelkader Bensalah, ish-kryetari i Kuvendit, aktualisht shërben si president i përkohshëm për një periudhë kalimtare 90 ditore, të mbikëqyrur nga ushtria, gjatë së cilës duhet të mbahen zgjedhje presidenciale.

Megjithatë, protestuesit kanë vazhduar të bëjnë thirrje për largimin e të gjithë zyrtarëve që ndërlidhen me regjimin e ish-presidentit, përfshirë edhe Bensalah-un.

Protestuesit gjithashtu kërkojnë përgjegjësi nga Said Bouteflika, vëllai me ndikim i ish-presidentit i cili gjithashtu ishte këshilltar i tij.