Venezuelë: Përpjekje për grusht shtet, u hiqet imuniteti deputetëve
BKT
   Bota

Venezuelë: Përpjekje për grusht shtet, u hiqet imuniteti deputetëve

Ndërkohë vazhdojnë procedimet ligjore kundër deputetëve të AN, të cilët morën pjesë në përpjekjen e dështuar për grusht shteti nga një grup ushtarakësh bashkë me kryetarin e AN, Juan Guaido.

Në Venezuelë u është hequr imuniteti 7 deputetëve të opozitës nga Asambleja Kombëtare (AN), të cilët morën pjesë në përpjekjen për grusht shteti që dështoi më 30 prill.

Ndërkohë vazhdojnë procedimet ligjore kundër deputetëve të AN, të cilët morën pjesë në përpjekjen e dështuar për grusht shteti nga një grup ushtarakësh bashkë me kryetarin e AN, Juan Guaido, i cili ka shpallur veten si president të përkohshëm të Venezuelës.

Asambleja Kushtetuese (ANC), organi kompetent legjislativ i pranuar nga shteti në Venezuelë, ka dhënë përgjigje pozitive brenda pak orësh ndaj kërkesës së Gjykatës së Lartë të Drejtësisë së Venezuelës (TSJ) në lidhje me heqjen e imunitetit për 7 deputetët që kanë patur rol në ngjarje.

ANC u ka hequr imunitetin deputetëve të cilët përballen me akuzat "Tradhti ndaj atdheut, komplot, nxitje e rebelimit, nxitje e rebelimit civil, krijimi i një organizate për të kryer një krim, autoritet grabitjeje, nxitje publike për të mos zbatuar ligjin dhe kryerje të krimit të urrejtjes" dhe gjithashtu pritet që ANC të japë brenda një kohe të shkurtër edhe lejen që i nevojitet TSJ-së për gjykim.

Ndërkohë bëhet e ditur se ka patur reagim nga AN e cila nuk ka kompetenca dhe shumicën e së cilës e ka opozita.

Në një deklaratë me shkrim nga AN pretendohet se ky vendim është i pavlefshëm dhe se AN do të vazhdojë të punojë për t'i dhënë fund "grabitjes së presidencës".

Në një deklaratë të bërë dje nga TSJ ishte njoftuar se me kërkesë të kryeprokurorit Tarek William Saab ka nisur procedimi ligjor ndaj deputetëve opozitarë Henry Ramos Allup, Luis German Florido, Marianela Magallanes Lopez, Jose Simon Calzadilla Peraza, Andres Enrique Delgado Velazquez, Amerigo De Grazia dhe Richard Jose Blanco Delgado dhe se nga ANC pritej përgjigje për lejen e gjykimit.

Në Venezuelë, e cila ndodhet në një krizë të madhe politike që prej disa muajsh, opozita tentoi të kryejë grusht shteti në orët e para të 30 prillit.

Guaido dhe Leopoldo Lopez i cili ka shkelur arrestin shtëpiak pasi mbërritën në urën Altamira përballë bazës ajrore La Carlota, bashkë me një grup ushtarakësh tentuan të rrëzojnë presidentin Nicolas Maduro dhe i bënë thirrje popullit për të dalë në rrugë. Pas kësaj thirrjeje opozitarët dolën në rrugët e shumë qyteteve të vendit ndërsa më pas protestat u shndërruan në akte dhune kryesisht përreth La Carlota në Caracas.

Meqë edhe mbështetësit e Maduros u mblodhën përreth rezidencës Miraflores, Lopez fillimisht u strehua në ambasadën e Kilit dhe më pas në atë spanjolle ndërsa Guaido u shfaq në një video-mesazh dhe i bëri thirrje popullit sërish të dalë në rrugë.