Gjermania: Vazhdojnë bisedimet me Iranin për kanalin alternativ të pagesave
“Punojmë intensivisht për të operacionalizuar INSTEX-in”, tha Adebahr, duke iu referuar mekanizmit të krijuar në muajin janar nga Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar për të vazhduar tregtinë me Iranin.
Zëdhënësja e Ministrisë gjermane të Punëve të Jashtme, Maria Adebahr, ka deklaruar se fuqitë e mëdha të Bashkimit Evropian punojnë intensivisht për të operacionalizuar kanalin alternativ të pagesave INSTEX për të lehtësuar tregtinë e ligjshme me Iranin, raporton AA.
Duke folur në një konferencë për media në Berlin, Adebahr riafirmoi angazhimin e Gjermanisë ndaj marrëveshjes bërthamore me Iranin dhe i kërkoi Teheranit zbatimin e plotë të marrëveshjes.
“Punojmë intensivisht për të operacionalizuar INSTEX-in”, tha Adebahr, duke iu referuar mekanizmit të krijuar në muajin janar nga Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar për të vazhduar tregtinë me Iranin, pavarësisht nga sanksionet e vendosura nga SHBA-të.
Adebahr argumentoi se mekanizmi nuk mund të realizohet ende për shkak të natyrës shumë komplekse të problemit dhe për shkak të disa pritjeve nga ana e Iranit.
“Siç e dini, INSTEX ka nevojë për një strukturë pasqyreje në Iran, e cila duhet të realizohet nga pala iraniane”, tha ajo.
Adebahr theksoi se të dyja strukturat duhet të sigurojnë standardet ndërkombëtare në lidhje me pastrimin e parave dhe luftën kundër financimit të terrorizmit.
“Ne vazhdojmë bisedimet tona me palën iraniane për këtë”, u shpreh ajo.
Në muajin mars, një grup i bankave private dhe të shtetit iranian regjistruan një kompani pasqyruese të quajtur Instituti Special i Tregtisë dhe Financave (STFI) për të përshtatur INSTEX-in.
Vonesa në operacionalizimin e kanalit të pagesave alternative ka çuar në kritika të ashpra ndaj Iranit, me Teheranin duke njoftuar, dje, se mund të braktisë pjesë të marrëveshjes bërthamore për shkak të premtimeve të paplotësuara.
Fuqitë botërore në vitin 2015 ranë dakord për të hequr sanksionet ekonomike ndaj Iranit në këmbim që Irani të kufizojë aktivitetin e tij bërthamor në qëllime paqësore dhe civile.
Marrëveshja, e njohur edhe si Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA), u nënshkrua mes Irani dhe Rusisë, Kinës, Francës, Mbretërisë së Bashkuar si dhe Gjermanisë.























