SHBA, senatorët projekt-ligj kundër tubacionit "Rrjedha Veriore 2"
Dy anëtarët e Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, republikani Ted Crus dhe demokratja Jeanne Shaheen, hartuan masën për të ushtruar presion ndaj Rusisë
Dy senatorë amerikanë synojnë të paraqesin një projekt-ligj që shënjestron tubacionin "Rrjedha Veriore 2" i cili planifikon të transportojë gazin natyror rus në Gjermani.
Siç raportojnë mediat në SHBA, dy anëtarët e Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, republikani Ted Crus dhe demokratja Jeanne Shaheen, hartuan masën për të ushtruar presion ndaj Rusisë.
Draft versioni i projekt-ligjit do të shënjestrojë anijet e tubacionit dhe do të mohojë vizat e SHBA-ve tek menaxherët e kompanive të lidhura me ato anije. Po ashtu do të ndalojë transaksionet në prona ose interesa të bazuara në SHBA, që u përkasin atyre individëve dhe do të ndëshkojë entitetet që sigurojnë projektin.
Më herët, Letonia, Lituania, Estonia, Polonia, Danimarka dhe Ukraina shprehën kundërshtimin e tyre ndaj projektit duke argumentuar se do të rrisë varësinë e Bashkimit Evropian (BE) ndaj gazit rus, ndërkohë duke bërë thirrje që Evropa të fokusohet në diversifikimin e burimeve të saj të energjisë.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, po ashtu ka qenë kundër projektit, duke bërë thirrje që Evropa të diversifikojë burimet e saj të furnizimit me energji dhe të blejë gaz natyror nga SHBA në vend të gazit natyror rus.
Siç parashikohet, projekti "Rrjedha Veriore 2" do të ketë një kapacitet prej 55 miliardë metër kub dhe do të vazhdojë nga Rusia drejt Gjermanisë përgjatë Detit Baltik.























