Propozoi luftë me Rusinë, përjashtohet nga partia deputeti japonez
Deputeti japonez i partisë opozitare Japonia Innovation, Hodaka Maruyama, është përjashtuar nga partia, pasi gjatë një vizite në ishujt Kurile në veri të Hokkaido, propozoi që të merret parasysh alternativa e luftës mes Japonisë dhe Rusisë për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje territoriale.
Mosmarrëveshja ka të bëjë me një grup prej katër ishujsh në veri të ishullit të Hokkaidos, të pushtuar nga ushtria ruse pak ditë pas Luftës së Dytë Botërore, transmeton REL.
Deputeti kishte bërë një vizitë zyrtare me 60 persona të tjerë të cilët dëshmuan atë se çfarë kishte thënë 35-vjeçari.
Maruyama u kishte kërkuar përfaqësuesve dhe banorëve të ishullit që ta konsiderojnë si alternativë mundësinë e një lufte me Moskën për të kërkuar territoret e tyre.
Çështja e këtyre ishujve ka penguar dy vendet për nënshkrimin e një traktati paqeje, pas më shumë se 70 vjetësh nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.























