Zgjedhjet në PE, votojnë çekët dhe irlandezët
BKT
   Bota

Zgjedhjet në PE, votojnë çekët dhe irlandezët

Qytetarët çekë dhe irlandezë iu drejtuan sot qendrave të votimit për zgjedhjet për Parlamentin Evropian, një nga proceset më të mëdha demokratike në botë.

Zgjedhjet nisin një cikël të ri politik në Bashkimin Europian dhe nxisin ndryshimin e udhëheqësve për institucionet më të larta të bllokut.

Ato gjithashtu vijnë në një kohë të brishtë nga ana morale që lidhet me planin e Britanisë së Madhe për t’u larguar dhe kërcënimet që vijnë nga brenda edhe jashtë bllokut.

Britania e Madhe dhe Holanda votuan të enjten, por shumica e 28 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian votojnë të dielën.

Më shumë se 400 milionë votues kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje.

Votuesit çekë kanë dy ditë në dispozicion, sot dhe nesër, ndërsa votimi në Irlandë mbyllet sot.

Në Republikën Çeke, pjesëmarrja në zgjedhjet e BE-së të vitit 2014, ishte vetëm 18%, ndërsa në Irlandë ishte 52%.

Pjesëmarrja irlandeze mund të rritet këtë vit, pasi njëkohësisht do të zhvillohet edhe një referendum, për lehtësimi i ligjit për divorcin.

Surprizuese në zgjedhjet çeke mund të jetë Partia Pirate, e cila ka dalë mirë në sondazhe.