Trump ofron ndihma për bujqit për shkak të luftës tregtare me Kinën
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka ofruar një pako me masa përkrahëse për bujqit amerikanë në kohën kur lufta tregtare me Kinën po vazhdon. Tensionimi i marrëdhënieve tregtare me shtetin më të madh aziatik e ka prekur sektorin e bujqësisë në ShBA.
Vendosja e tarifave hakmarrëse të Shtëpisë së Bardhë ndaj mallrave kineze e ka dëmtuar tregtinë e bujqve amerikanë, të cilët janë të varur nga blerësit e huaj të misrit, mishit të derrit dhe prodhimeve tjera.
Shumica e ndihmave të pakos qeveritare për bujqësi do të ofrohen përmes pagesave të drejtpërdrejta. Shumë grupe të bujqve e kanë mirëpritur vendimin e qeverisë, por gjithashtu kërkuan që shteti të arrijë marrëveshje tregtare me Kinën sa më shpejt që është e mundur.
Bujqit janë goditur më së shumti nga mosmarrëveshjet tregtare me Kinën. “Bujqit tanë janë sulmuar nga Kina, por fondet prej 16 miliardë dollarëve do të bëjnë të qartë se asnjë shtet nuk e ka të drejtën e vetos për ekonominë dhe sigurinë kombëtare të Amerikës”, tha presidenti Trump gjatë një konference për gazetarë.
Mosmarrëveshja tregtare mes dy shteteve, e cila doli nga kontrolli këtë muaj pas vendosjes së tarifave të reja, i ka goditur fermerët amerikanë për shkak se Kina i ka ndërprerë blerjen e prodhimeve bujqësore amerikane, shkruan “Independent”























