Macron: Urgjenca ekologjike, mesazh i fuqishëm i zgjedhjeve evropiane
Nevoja për t’iu përgjigjur urgjencës klimatike është një mesazh shumë i fortë në Francë dhe kudo në Evropë pas zgjedhjeve evropiane të së dielës, deklaroi Emmanuel Macron pasi mbërriti në samitin e jashtëzakonshëm të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Duke bërë për herë të parë bilancin e këtij votimi, presidenti francez vlerësoi gjithashtu, se “aty ku shumë mendonin se Evropa ishte e lodhur, gjithnjë e më pak demokratike, popujt tanë thjesht na thanë se kanë dëshirë për Evropë”.
“Jemi përballë një rikompozimi të vërtetë dhe një etape të re të aventurës evropiane”, shtoi ai duke komentuar rezultatet.
Pas një dreke në Bruksel me disa kryeministra evropianë, belgun Charles Michel, spanjollin Pedro Sanchez, portugezin Antonio Costa dhe holandezin Mark Rutte, Emmanuel Macron do të takohet sot në mesditë me krerët e grupit të Vishegradit (Sllovaki, Republikë Çeke, Poloni, Hungari), bastioni i kampit nacionalist./ATSH























