Papa Françesku viziton zonën e tensionuar të Transilvanisë
BKT
   Bota

Papa Françesku viziton zonën e tensionuar të Transilvanisë

Pika kulmore e vizitës së papa Françeskut në Rumani, një meshë gjigante, të shtunën në qytezën e Transilvanisë, ka irrituar autoritetet lokale, të cilët e konsiderojnë ngjarjen si një njohje të identitetit hungarez të këtij rajoni me aspiratën për autonomi.

Rreth 200 mijë persona priten të marrin pjesë në një ceremoni, ku papa Françesku do të mbajë shërbesën fetare, disa kilometra nga Miercurea Ciuc, qytet në perëndim të vendit.

”Buzë Karpateve, ky është vendi më i rëndësishëm i pelegrinazhit katolik roman në juglindje të Europës, aty ku ortodoksët janë shumicë”, sqaron për median prifti Ede Csont, një nga organizatorët e kësaj etape, të përfshirë në agjendën e udhëtimit treditor të papa Françeskut në Rumani.

Pjesa më e madhe e besimtarëve, të cilët do të vijnë të dëgjojnë papën do të jenë rumunë me gjuhë dhe kulturë hungareze, ashtu si shumë banorë të Transilvanisë, një territor që i është bashkuar vonë Rumanisë, pas shpërbërjes së Perandorisë së Habsburgëve, në 1918.