Plani i paqes për Lindjen e Mesme vazhdon pavarësisht zgjedhjeve izraelite
Konferenca e organizuar nga SHBA-ja në Manama në qershor mbi aspektet ekonomike për planin e ardhshëm amerikan të paqes në Lindjen e Mesme është e konfirmuar, pavarësisht mbajtjes së zgjedhjeve të reja në Izrael, njoftoi sot departamenti amerikan i shtetit.
“Ne nuk parashikojmë asnjë ndryshim. Kjo është fiksuar më 25 dhe 26 qershor në Bahrein”, deklaroi zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Morgan Ortagus.
Kryeministrit Benjamin Netanyahu nuk i mbeten më shumë se disa orë në dispozicion për formimin e një koalicioni të ri qeverisës. Në rast dështimi, ai mundet në një skenar të pazakontë të dërgojë Izraelin drejt kutive të votimit, vetëm disa muaj pas zgjedhjeve të fundit.
Izraeli është kthyer në teatrin e një drame politike me emocione të forta, ku përfundimi do të bëhet i ditur vetëm në minutën e fundit, në mesnatë (21:00 GMT) koha kur mbaron afati për Netanyahun për arritjen e një marrëveshje për krijimin e qeverisë me partnerët e tij të së djathtës./ATSH























