Algjeri, anulohen zgjedhjet presidenciale të planifikuara më 4 korrik
BKT
   Bota

Algjeri, anulohen zgjedhjet presidenciale të planifikuara më 4 korrik

Javën e kaluar ka skaduar afati për paraqitjen e kërkesave për kandidim ndërsa Komisioni Kushtetues i Algjerisë sot njoftoi se janë refuzuar kandidaturat e dy kandidatëve.

Komisioni Kushtetues i Algjerisë bëri të ditur se nuk do të mbahen zgjedhjet presidenciale të planifikuara më 4 korrik, me çka vazhdon kriza e thellë politike në këtë vend afrikan.

Javën e kaluar ka skaduar afati për paraqitjen e kërkesave për kandidim ndërsa Komisioni Kushtetues i Algjerisë sot njoftoi se janë refuzuar kandidaturat e dy kandidatëve të cilët për opinionin publik janë figura të panjohura.

Në njoftim thuhet se presidenti i përkohshëm i Algjerisë, Abdelkader Bensalah duhet të caktojë një datë të re të zgjedhjeve. Nuk jepen detaje tjera për refuzimin e kandidaturave të tyre.

Nën presionin e protestave masive kundër qeverisë disa dekadashe të presidentit algjerian Abdelaziz Bouteflika më 2 prill ai dha dorëheqjen, ndërkaq si kreu i përkohshëm i shtetit u emërua Bensalah.

Bensalah shpalli zgjedhjet presidenciale më 4 korrik, por opozita dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë bërë thirrje për bojkot me kërkesë që nga establishmenti të largohen mbetjet nga regjimi i Bouteflikas dhe të organizojë zgjedhje transparente.

Mandati i presidentit të përkohshëm Bensalah përfundon më 9 korrik dhe është e qartë se kriza politike në atë vend do të vazhdojë.

Legjislacioni algjerian nuk ka dispozita të sakta që përcaktojnë procesin e tranzicionit në rast të bojkotit të zgjedhjeve.