Plani i Trumpit për Lindjen e Mesme diskutohet në Bahrejn
BKT
   Bota

Plani i Trumpit për Lindjen e Mesme diskutohet në Bahrejn

Pjesa e parë e planit të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez do të diskutohet në një konferencë dyditëshe ndërkombëtare, që hap punimet të martën në Bahrejn.

Udhëheqës të qeverive, shoqërisë civile dhe bizneseve u ftuan për të disktutuar rreth propozimeve për rritje ekonomike për palestinezët.

Sipas planit, të zbuluar nga Shtëpia e Bardhë ditë më parë, vendet donatore dhe investuesit do të kontribuojnë me rreth 50 miliardë dollarë në rajon, transmeton REL.

Prej tyre, 27.5 miliardë do të shkonin në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, ndërsa pjesa tjetër në Jordani, Egjipt dhe Liban.

Pjesa politike e planit të Trumpit u tha se do të publikohet në një datë të mëvonshme.

Gjasat e shtetësisë palestineze

As Qeveria e palestinezëve, as ajo e Izraelit nuk do të ndjekin konferencën në Manama të Bahrejnit.

Delegacioni amerikan do të përfshijë sekretarin e Thesarit, Steven Mnuchin, dhe këshilltarin e Trumpit, Jared Kushner.

Ministrat e Financave të disa shteteve të Gjirit Persik do të marrin pjesë, ashtu si edhe shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde.