Ismaili: Këtë vit po blejmë 4.2 milionë euro pajisje moderne mjekësore
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka raportuar sot para Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës.
Gjatë këtij raportimi, ministri Ismaili është pyetur edhe për blerjen e pajisjeve mjekësore gjatë mandatit të tij për QKUK-në dhe Spitalet e Përgjithshme.
Në përgjigjen e tij ministri Ismaili ka treguar listën me pajisje që janë blerë gjatë këtyre dy viteve.
Ai ka përmendur se si kur ka ardhur në Ministri të Shëndetësisë ka gjetur klinikat dhe spitalet pa aparatura.
“Në vitin 2018, së bashku me SHSKUK-në, kemi blerë rreth 5 milionë euro pajisje për QKUK-në dhe Spitalet e Përgjithshme. E kemi gjetur Klinikën e Gastroenterologjisë pa gastroskop, sot i ka dy, Gjinekologjinë pa pajisje të duhura mjekësore, sot i ka të shumicën”, ka thënë ministri Ismaili.
Ai ka treguar se si përmes investimeve që janë bërë, janë hequr listat e pritjes për shumë shërbime mjekësore dhe janë ndalë referimet për trajtime jashtë institucioneve publike shëndetësore që kanë qenë barrë e madhe për pacientët dhe shtetin.
Ismaili ka treguar se edhe gjatë vitit 2019 do të blihen rreth 5 milionë euro pajisje tjera mjekësore për të modernizuar shërbimet shëndetësore.























