Kenia, 1,6 milion njerëz të rrezikuar nga uria për shkak të thatësirës
BKT
   Bota

Kenia, 1,6 milion njerëz të rrezikuar nga uria për shkak të thatësirës

Një raport në Kenia ka treguar se një numër i madh njerëzish rrezikohen nga uria dhe mungesa e ujit pasi thatësira ka ndikuar negativisht në tokat bujqësore dhe kullotat.

Afër 1,6 milion persona janë përballur me rrezikun e urisë në muajin maj dhe qershor në Kenia si pasojë e thatësirës që ka kapluar shumë provinca të vendit, ndërsa kjo shifër mund të kalojë në mbi dy milionë në korrik, tregoi një raport i Qendrës Kombëtare për Menaxhimin e Thatësirës në Kenia (NDMA).

Sipas "Raportit të Sigurisë Ushqimore në Gjysmësezonin e vitit 2019", një numër i madh njerëzish rrezikohen nga uria dhe mungesa e ujit pasi thatësira ka ndikuar negativisht në tokat bujqësore dhe kullotat.

Raporti theksoi se shifra prej rreth 1,6 milion njerëzish të përballur me urinë në maj dhe qershor mund të kalojë në mbi dy milionë në muajin korrik.

Kriza e ushqimit dhe e ujit e lidhur me thatësirën ka ndikuar veçanërisht në pjesët veriore dhe qendrore të vendit, ndërsa për rajonet si Turkana, Marsabit, Wajir, Baringo, Garissa, Tana dhe Isiolo thuhet se mund të kenë nevojë për ndihmë urgjente.