"Lufta kundër drogës në Filipine është krim kundër njerëzimit"
Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut publikoi raport të ri duke i bërë thirrje OKB-së për të hetuar vrasjet jashtë-gjyqësore të qeverisë së Dutertes.
Qeveria e Filipineve akuzohet për "kryerjen e krimeve kundër njerëzimit" me të ashtuquajturën "lufta kundër drogës", të cilën Manila e sheh si mënyra e vetme për të "pastruar" situatën e rëndë të trafikimit të drogës në vend.
Amnesty International në një raport të publikuar të hënën thotë se qeveria e presidentit Rodrigo Duterte po vazhdon të funksionojë si "ndërmarrje e madhe vrasëse për të cilën të varfrit vazhdojnë të paguajnë çmimin më të lartë".
Manila akuzohet për mijëra vrasje jashtë-gjyqësore në luftën e Dutertes kundër drogës.
"(Raporti) shfaq policinë e cila operon me pandëshkueshmëri të plotë përderisa vranë njerëzit nga lagjet e varfra emrat e të cilëve shfaqen në 'listën e sajuar vëzhguese të drogës' të përpiluar jashtë çdo procesi ligjor", thuhet në kumtesën e organizatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Sipas organizatës, qeveria e Filipineve ka pranuar të paktën 6.600 vrasje nga policia, ndërsa aktivistët dhe politikanët e opozitës thonë se më shumë se 20.000 persona janë vrarë që kur Duterte erdhi në pushtet në vitin 2016.
Duke bërë thirrje për një hetim të OKB-së për vrasjet jashtë-gjyqësore, Amnesty thotë: "Vala e vrasjeve nga policia e shkaktuar nga fushata vrastare e presidentit të Filipineve Rodrigo Duterte për luftë kundër drogës vazhdon të shkaktojë brengosje, duke shkatërruar jetë dhe duke shkatërruar komunitete".
"OKB patjetër të hapë hetime urgjente për shkeljen në masë të të drejtave të njeriut dhe krimeve të mundshme kundër njerëzimit të kryera si pjesë e 'luftës kundër drogës', tha Nicholas Bequelin, drejtori rajonal i organizatës Amnesty International për Azinë Lindore dhe Juglindore.
Bequelin i bëri thirrje Këshillit të OKB-së për të drejtat e njeriut për të "vepruar me vendosmëri" për "ta marrë në përgjegjësi" Duterten dhe qeverinë e tij.
Raporti thotë se vrasjet kanë një mostër. "Është kaq konsekuente, është një skenar. Në fakt, kur e sheh raportin, duket sikur një shabllon", thuhet në kumtesë.
Në të shtohet se qeveria e Filipineve ka përgatitur të ashtuquajturën "'listën vëzhguese të drogës" jashtë çdo procedure ligjore.
"Ky sistem i pangopur dhe i egër shpërblen pajtimin e verbër dhe vrasjen", theksohet në raport.
Raporti po ashtu ndërlidh transferimin e zyrtarëve policorë për të rritur numrin e vrasjeve që gjoja ndërlidhen me 'luftën kundër drogës' ".
"Komandantët që më parë mbanin poste në Metro Manila, që dikur ishte rajoni më vdekjeprurës për vrasjet e lidhura me drogën, janë promovuar në role të larta në Bulacan dhe në rajonin më të gjerë qendror të Luzonit. Transferimi i zyrtarëve të lartë në rajone ku më pas vrasjen u shtuan është një tregues alarmant i mosndëshkimit", qëndron në raport.
Në të gjithashtu thuhet se qeveria e Filipineve ka shmangur të gjitha përpjekjet për të shqyrtuar shkeljet e të drejtave të njeriut të kryera në kontekstin e veprimeve të saj, që ishin gjerësisht të kritikuara, për t'i dhënë fund trafikimit të drogës.
Gjykata Ndërkombëtare Penale filloi një hetim paraprak në fushatën kundër drogës në shkurt të vitit 2018, edhe pse Manila u tërhoq nga statuti i gjykatës në marsin e vitit të kaluar.
"Zyra e Prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale duhet ta përshpejtojë hetimin e saj rreth situatës dhe të hapë një hetim penal të plotë dhe të gjerë", thonë nga organizata Amnesty International./aa/























