Hong Kong, sërish protesta kundër projektligjit për ekstradim
BKT
   Bota

Hong Kong, sërish protesta kundër projektligjit për ekstradim

Disa nga protestuesit kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve demokratike ndërsa një pjesë e vogël e tyre kanë mbajtur në duar pankarta me mbishkrimet "Hong Kong i pavarur" .

Në Rajonin e posaçëm administrativ të Hong Kongut vazhdojnë protestat kundër projektligjit për të lehtësuar ekstradimin e të dyshuarve në Kinë.

Mijëra persona në qytetin Sha Tin në Rajonet e Reja të Hong Kongut në kufi me Kinën, u mblodhën në protestë duke kërkuar largimin nga detyra të Shefes ekzekutive të rajonit të posaçëm administrativ të Hong Kongut, Carrie Lam.

Për një kohë të shkurtër është shënuar një përleshje mes policisë dhe protestuesve që kanë kërkuar hetimin e dhunës policore në protestat e mëparshme të zhvilluara për shkak të projektligjit që lehtëson ekstradimin e të dyshuarve në Kinë.

Në protestat me pjesëmarrje të gjerë të mbajtura në Hong Kong më 12 qershor kundër projektligjit në fjalë u plagosën të paktën 79 persona ndërsa 11 të tjerë u arrestuan.

Në një konferencë për media më 15 qershor, Carrie Lam njoftoi pezullimin e projektligjit të paraqitur më 3 prill në Parlament për shkak se ka shkaktuar ndarje të mëdha të pikëpamjeve në shoqëri.

Lam, e cila kërkoi falje në lidhje me rregullimin ligjor që çoi në protesta, tha se projektligji nuk do të vendoset në axhendë gjatë kësaj periudhe legjislative.

Ndërsa liderët e protestuesve, të cilët nuk e panë si të mjaftueshëm vendimin e pezullimit të projektligjit dhe të cilët kanë vazhduar protestat e tyre, deklaruan se do të vazhdojnë protestat e tyre derisa ligji të anulohet zyrtarisht.