Debati televiziv, Johnson-Hunt fokusohen te Brexit
Vetëm pak ditë nga shpallja e rezultatit, dy kandidatët për kreun e qeverisë dhe Partisë Konservatore britanike janë ndeshur për herë të dytë në një debat televiziv. Skenari i daljes nga BE pa marrëveshje duket tashmë më i mundshëm për Boris Johnson dhe Jeremy Hunt.
Dy kandidatët për kryeministër të Britanisë së Madhe kanë ashpërsuar qëndrimet rreth shkëputjes nga Bashkimi Europian.
Në debatin që u mbajt të hënën, më pak se një javë nga shpallja e fituesit, rivalët Boris Johnson dhe Jeremy Hunt u fokusuan te problemi i zonës kufitare mes Irlandës dhe provincës angleze të Irlandës Veriore.
BE ka theksuar më parë se britanikët duhet të veprojnë përkohësisht sipas kuadrit ligjor evropian për aq kohë sa do të mungojë një marrëveshje tregtare mes palëve.
Por ish-kryediplomati i vendit, Johnson, tha se në këtë mënyrë komprometohet pavarësia e Britanisë së Madhe nga partnerët evropianë.
"Ky është një problem thelbësor, është një instrument që na mban të burgosur brenda një tregu dhe unioni doganor, ndaj edhe nevojitet të hiqet patjetër," theksoi Johnson.
Të njëjtin mendim ndau edhe kundërshtari i tij, Hunt, duke shtuar se kufiri provizor mes dy Irlandave është një çështje e mbyllur.
Dy kandidatët që aspirojnë karrigen e kryeministres, Theresa May, u shprehën besimplotë për arritjen e një kompromisi të ri për Brexit përpara limitit kohor të 31 tetorit 2019.
Fati i tyre në kryeministri do të caktohet më 23 korrik, kur 160 mijë anëtarët e Partisë Konservatore do të zgjedhin drejtuesin partiak për dekadën e ardhshme.























