SHBA, tubohen mijëra pakistanezë për të dëgjuar fjalimin e Khan-it
BKT
   Bota

SHBA, tubohen mijëra pakistanezë për të dëgjuar fjalimin e Khan-it

Khan dje filloi vizitën e tij tre-ditore në SHBA, duke iu adresuar diasporës pakistaneze në një miting në stadiumin Capital One Arena në Washington, që ishte planifikuar ditë më parë.

Më shumë se 30 mijë pakistanezë u tubuan dje në Washington për të dëgjuar fjalimin e kryeministrit pakistanez, Imran Khan, duke i habitur edhe vet pakistanezët amerikanë të cilët kurrë më parë nuk kanë parë një turmë të tillë në tokën amerikane për ndonjë tjetër udhëheqës pakistanez.

Khan theksoi se Pakistani nuk do të kërkojë ndonjë ndihmë nga SHBA-të.

Siç është planifikuar, kryeministri pakistanez në Shtëpinë e Bardhë do të takohet me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump. Dy liderët pritet të diskutojnë procesin e paqes në Afganistan, masat për përmirësimin e marrëdhënieve midis Pakistanit dhe SHBA-ve, si dhe përpjekjet indiane për të vendosur Pakistanin në listën e zezë të Task Forcës Financiare të Veprimit (FATF) për mos angazhimin e mjaftueshëm për të parandaluar terrorizmin.

Sipas raportimeve në media, FATF ka vendosur Pakistanin në “listën gri” dhe në muajin tetor mund ta vendosë në “listën e zezë”, nëse nuk arrin të tregojë përparim të madh në luftën kundër terrorizmit.

Udhëheqja e lartë e vendit, duke përfshirë shefin e ushtrisë pakistaneze, gjenerali Qamar Javed Bajwa dhe kreu i sapoemëruar i agjencisë së inteligjencës, gjenerali Faiz Hameed, po ashtu do të shoqërojnë kryeministrin Khan në bisedimet me administratën e presidentit Trump mbi një sërë çështjesh duke filluar nga terrorizmit në Afganistan.

Bajwa do të vizitojë Pentagonin ku do të takohet me kreun e sapoemëruar të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-ve, gjeneralin Mark Milley, për të diskutuar procesin e vazhdueshëm të pajtimit në Afganistanin e përçarë nga lufta.