OKB: Shteti Rakhinë "jo i favorshëm" për kthimin e refugjatëve Rohingya
BKT
   Bota

OKB: Shteti Rakhinë "jo i favorshëm" për kthimin e refugjatëve Rohingya

Burgener vizitoi vendet e lejuara vetëm nga qeveria e Mianmarit dhe kishte qasje të kufizuar në shtetin Rakhinë.

E dërguara e përgjithshme e OKB-së në Mianmar, Christine Schraner Burgener, ka deklaruar se situata në shtetin Rakhinë të Mianmarit nuk është e favorshme për riatdhesimin e refugjatëve Rohingya.

Mediat lokale raportuan se pas një vizite 10-ditore në Mianmar, Burgener dje në Dhaka takoi sekretarin e Jashtëm të Bangladeshit, M Shahidul Haque. Në takimin me sekretarin e Jashtëm të Bangladeshit, Burgener përshkroi realitetin në terren në shtetin Rakhinë si “jo të favorshëm për riatdhesim”.

Gjatë vizitës së saj në Rakhinë, ajo realizoi takime me zyrtarët qeveritarë të Mianmarit, grupe diplomatike, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe ndërkombëtare si dhe ekipin e OKB-së në Mianmar.

Megjithatë, Burgener vizitoi vendet e lejuara vetëm nga qeveria e Mianmarit dhe kishte qasje të kufizuar në shtetin Rakhinë.

Gjatë ditës së sotme, Burgener planifikon të vizitojë kampet e refugjatëve Rohingya në Cox’s Bazar të Bangladeshit.

Në një zhvillim tjetër, Mianmari pritet të dërgojë një delegacion të udhëhequr nga sekretari i Jashtëm, Myint Thu, për të vizituar kampet në Cox’s Bazar.