Katër fëmijë të vrarë nga sulmet ajrore në Jemen
Katër fëmijë ishin në mesin e 14 civilëve të vrarë nga sulmet ajrore në Jemen, të cilat ndodhën të hënën. Lajmin e kanë bërë të ditur zyrtarët e grupit Houthi.
Sipas një raporti spitalor, të lëshuar nga zëdhënësi Mohammed Abdul Salam, përgjegjës për këtë sulm është koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite, duke shtuar se në sulm janë plagosur 26 persona, përfshirë 14 fëmijë.
Sidoqoftë, zëdhënësi i këtij koalicioni, Turki al-Malki, ka thënë se përgjegjës për këtë sulm është milicia e grupit Hothi dhe se ky sulm ishte i qëllimshëm kundër civilëve të pafajshëm.
Edhe ministry jemenas i informacionit, Moammar al-Eryani, i fajësoi rebelët e Houthi-t për vdekjen e fëmijëve dhe se ata kanë përdorur raketa ruse në këtë sulm.
Konflikti në Jemen nisi në fillim të vitit 2015, kur grupi Houthi, që përfaqëson pakicën Shiite, filloi sulmet ndaj qeverisë së njohur nga komuniteti ndërkombëtar.
Kriza shpejt eskaloi në luftë me shumë pjesëmarrës pasi Arabia Saudite themeloi koalicion me shtetet e Gjirit Persik kundër rebelëve. Ky koalicion përkrahet edhe nga Shtetet e Bashkuara, shkruan “CNN”.























