BE: Sudani të formojë një qeveri të udhëhequr nga civilët
BKT
   Bota

BE: Sudani të formojë një qeveri të udhëhequr nga civilët

Kocijançiç paralajmëroi udhëheqësit ushtarakë se BE me 28 anëtarët e saj nuk mund të merret më me ta, përveç nëse ata tregojnë urgjencën për t’ia dorëzuar pushtetin një autoriteti civil.

Bashkimi Evropian kërkoi nga udhëheqësit ushtarakë në Sudan që të japin përparësi në arritjen e një marrëveshjeje, në mënyrë që të hapin rrugë për një tranzicion të udhëhequr nga civilët.

Zëdhënësja e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Maja Kocijançiç paralajmëroi udhëheqësit ushtarakë se BE me 28 anëtarët e saj nuk mund të merret më me ta, përveç nëse ata tregojnë urgjencën për t’ia dorëzuar pushtetin një autoriteti civil.

“BE-ja vazhdon të mbështesë përpjekjet e ndërmjetësimit të Unionit Afrikan dhe Etiopisë dhe i bën thirrje Këshillit të Përkohshëm Ushtarak (TMC) dhe Forcave për Liri dhe Ndryshim (FFC) që të lënë mënjanë dallimet e tyre dhe sa më shpejtë të arrijnë një marrëveshje për të hapur rrugën për një tranzicion të udhëhequr nga civilët në Sudan”, tha Kocijançiç në një deklaratë.

“Vrasja tragjike e 8 personave në fillim të kësaj jave, në mesin e tyre 5 nxënës shkollorë, duke marrë pjesë në një demonstratë paqësore në El Obeid, e bën edhe më urgjente formimin e një qeverie kalimtare që mbështetet gjerësisht nga populli sudanez”, shtoi ajo.

Kocijançiç, e cila poashtu është krahu i politikës evropiane të fqinjësisë dhe negociatave, tha se autorët duhet të nxirren menjëherë para drejtësisë nga autoritetet sudaneze. Ajo tha se TMC ka për detyrë të garantojë sigurinë e të gjithëve në Sudan.

“BE do të jetë në gjende të angazhohet vetëm me një qeveri në të cilët civilët ushtrojnë një autoritet të demonstrueshëm”, thuhet në deklaratën e Kocijançiç.

Sudani ka mbetur në trazira që nga prilli, kur ushtria rrëzoi presidentin Omar al-Bashir pas disa muajve protesta kundër udhëheqjes së tij 30-vjeçare.