Hong Kong, protestat çojnë vendin në kaos
Trafiku rrugor është bllokuar dhe të paktën 100 fluturime janë anuluar pas nisjes së grevës së përgjithshme të thirrur nga aktivistët pro-demokratikë të hënën në Hong Kong.
Liderja e Hong Kongut, Carrie Lam, ka thënë se protestat janë duke shtyrë qytetin “në një situatë shumë serioze” dhe janë duke rrezikuar statusin e tij gjysmë-autonom.
Ajo i bëri këto deklarata pasi ushtria kineze kërcënoi me dërgim të trupave në këtë territor për të ndalur protestat.
Protestuesit pro-demokratikë kanë bërë thirrje për greva të përgjithshme, për t’iu bërë presion liderëve të Hong Kongut, që janë të afërt me Pekinin.
Hong Kongu, ish-koloni britanike, është pjesë e Kinës, por gëzon liri unike që nuk shihen në pjesën tjetër të shtetit.
Protestat në këtë vend fillimisht kanë nisur si pasojë e një projektligji, që parashihte ekstradimin e të dyshuarve në Kinë.
Ky projektligj është pezulluar, mirëpo kërkesat e protestuesve janë rritur, duke përfshirë thirrjet për zgjedhje të drejtpërdrejta, ndryshime legjislative dhe hetime për një varg çështjesh.























