Afganistan, sulm me autobombë në Kabul
Shpërthimi i madh në shënjestër kishte policinë në lagjen e mbushur me njerëz Mirwais Maidan.
Një sulmues vetëvrasës me autobombë ka goditur kryeqytetin afgan Kabul të mërkurën, konfirmoi një zyrtar, ndërsa raportohet për viktima.
Shpërthimi i madh në shënjestër kishte policinë në lagjen e mbushur me njerëz Mirwais Maidan gjatë orëve më të frekuentuara të mëngjesit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, rreth 100 njerëz u plagosën. Radio lokale "Salam Afganistan" raporton se të paktën 10 njerëz mbetën të vdekur nga sulmi.
Talebanët morën përgjegjësinë për sulmin vetëvrasës përmes një postimi në mediat sociale, duke pohuar se në shënjestër kishin një qendër rekrutimi të forcave të sigurisë.
Nusrat Rahimi, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme, për Anadolu Agency tha se sulmi pasoi një operacion në shkallë të gjerë kundër celulave të grupit terrorist DEASH në qytet brenda natës.
Sulmi erdhi ndërsa talebanët vazhdojnë bisedimet për një marrëveshje paqeje të propozuar nga SHBA-të në Katar.
Sulmi është dënuar gjerësisht nga zyrtarë të lartë afganë, përfshirë Shefin Ekzekutiv, Abdullah Abdullah.
"Terroristët synojnë të prishin fushatën e zgjedhjeve presidenciale. Ne jemi përkushtuar për një proces demokratik dhe vendosmëria jonë është e palëkundshme," tha ai në Twitter.
Ai bëri thirrje për dialog dhe shtoi: "Në vend të sulmeve terroriste, le t'i zgjidhim çështjet tona përmes negociatave".























