Qeveria e Venezuelës nuk do të marrë pjesë në bisedimet në Barbados
BKT
   Bota

Qeveria e Venezuelës nuk do të marrë pjesë në bisedimet në Barbados

Rodriguez tha se qeveria nuk do të marrë pjesë në bisedimet e planifikuara pasi Juan Guaido, i cili ka deklaruar veten si president i përkohshëm, ka mbështetur sanksionet e SHBA-së.

Në Venezuelë qeveria njoftoi se nuk do të marrë pjesë në bisedimet me opozitën në Barbados.

Jorge Rodriguez, nënpresidenti i Venezuelës dhe kryenegociatori i qeverisë, në një deklaratë nëpërmjet llogarisë në rrjetin social tha se qeveria nuk do të marrë pjesë në bisedimet e planifikuara për t'u mbajtur në Barbados më 8-9 gusht, pasi kryetari i Asamblesë Kombëtare të opozitës, Juan Guaido, i cili ka deklaruar veten si president i përkohshëm, ka mbështetur sanksionet e SHBA-ve.

"Presidenti Nicolas Maduro ka vendosur të mos e dërgojë delegacionin qeveritar në Barbados për shkak të sulmeve serioze dhe të ashpra që administrata Trump po zbaton vazhdimisht kundër Venezuelës, që përfshijnë bllokimin në mënyrë të paligjshëm të aktiviteteve tona ekonomike, tregtare dhe financiare", thuhet më tej në deklaratë.

Ndër të tjera në deklaratën ku përmendet edhe mbështetja e Guaido-s për sanksionet e SHBA-ve thuhet se, "Si venezuelianë, ne u zemëruam thellësisht që Juan Guaido, udhëheqësi i delegacionit të opozitës, festoi, inkurajoi dhe mbështeti këto veprime të dëmshme kundër sovranitetit të vendit tonë. Prandaj, vendosëm të mos marrim pjesë në bisedimet e planifikuara për 8-9 gusht".