Jeta e izoluar në Kashmir tri ditë pas heqjes së autonomisë nga India
India vendosi të hënën që të anulonte artikullin 370 në Kushtetutën e saj, që njihte autonominë e rajonit të Kashmirit. Vendimi u pasua me protesta të shumta në rrugët e rajonit dhe qeveria federale mori vendim për mbylljen e shumë shkollave, fikjen e internetit dhe ndërprerjen e valëve për telefonat.
Kjo i ka vendosur 12 milionë banorët e Kashmirit në izolim total.
Në shtetin me shumicë myslimane pas tri ditësh kanë filluar edhe problemet në shumë fusha. Industria e turizmit që ishte në lulëzim në rajonin e Himalajës është ndaluar dhe pronarët e bizneseve po përballen me humbje të mëdha.
“Qeveria e tij (e kryeministrit indian Narendra Modi) u dha atyre turistëve afat prej 24 orësh për të lënë luginën e Kashmir,” tha Abdul Gaffar, një pronar i varkave në Srinagar, shkruan Al Jazeera.
“Ai e bëri atë në një moment shumë të gabuar kur sezoni turistik ishte në kulmin e tij. Ne po kalojmë me humbje të paimagjinueshme pasi turistët u larguan.”
Me anulimin e nenit 370, India e ndau rajonin në dy territore. Para se të merrte këtë vendim shteti indian vendosi 10 mijë trupa në këtë rajon duke u pasuar edhe me një urdhër të paprecedentë duke kërkuar nga turistët dhe pelegrinët Hindu që të largoheshin nga lugina. Po ashtu, India vendosi një shtetrrethim në disa pjesë të territorit, mbylli telekomunikacionin dhe arrestoi liderët politikë.
Gaffar tha se prioriteti i Modit ishte të nxirrte hindusët nga Kashmiri.
“Ai nuk mendoi për myslimanët. Sikur të mendonte për ne, ai kurrë nuk do t’i kishte porositur turistët që të dilnin jashtë luginës së Kashmirit”.
Kufizimi për gazetarët
Gazetarët që punojnë për media lokale dhe ndërkombëtare gjithashtu janë prekur nga kufizimet e lëvizjes dhe mungesa e internetit.
“Unë nuk kam publikuar asgjë në ditët e fundit, sepse çdo mënyrë e komunikimit është ndërprerë,” tha një gazetar.
“Zyra jonë në Neë Delhi tani ka dërguar disa gazetarë. Unë do t’i dërgoj të gjitha materialet e mia të tre ditëve të fundit që i kam marrë me një stilolaps, në mënyrë që bota të marrë vesh se çfarë po ndodh në luginën e Kashmirit”.
Një tjetër gazetar i cili ka ardhur nga shteti Rajasthan për të mbuluar ngjarjet në Kashmir, tha që ai kishte dërguar rreth 10 çipa me material.
“Unë jam akomoduar afër aeroportit të Srinagarit. Gjatë dy ditëve të fundit, unë kam dërguar dy çipa përmes njerëzve që po udhëtojnë për në Neë Delhi. Në aeroportin e Neë Delhit, kameramani ynë pret nga ora 11:00 për të mbledhur kartat e çipave.
Kjo është mënyra se si t’i dërgoj videot dhe materialin në zyrën time”, tha ai.
Gazetat lokale si Greater Kashmir, Rising Kashmir, Kashmir Monitor, Kashmir Life dhe Kashmir Reader nuk kanë përditësuar faqet e tyre të internetit gjatë tre ditëve të fundit nga frika e reagimit nga autoritetet indiane, njofton Klan Kosova.
Al Jazeera nuk publikoi emrat e gazetarëve në këtë artikull për arsye sigurie.























