Matteo Salvini bën thirrje për zgjedhje të parakohshme
Zv/kryeministri thotë se nuk ekziston më shumica qeverisëse pasi kolapsi i koalicionit qeveritar duket i pashmangshëm.
Zv/kryeministri i Italisë dhe ministër i Brendshëm, Matteo Salvini, ka bërë thirrje për organizim të zgjedhjeve të parakohshme, duke përmendur paaftësinë e koalicionit qeveritar për t'u dakorduar për çështjet politike.
Tensionet brenda koalicionit mes partisë djathtiste të Salvinit, "Lega Nord", dhe Lëvizjes "5 Yjet" (M5S) janë përshkallëzuar kohëve të fundit për shkak të një projekti infrastrukturor që përfshin linjë hekurudhore të shpejtësisë së lartë me Francën.
M5S propozoi një votim për të ndërprerë projektin, por i njëjti u refuzua nga Senati me votat e deputetëve të partisë së Salvinit.
Dy partitë akuzuan njëra tjetrën për ndarjen e thellë brenda koalicionit, duke shtyrë Salvinin që të bëjë thirrje për zgjedhje të reja.
Më pas, ai pati takim me kryeministrin Giuseppe Conte, takim i cili zgjati më shumë se një orë.
Në një deklaratë pas takimit, Salvini tha se e ka informuar Conten se qeveria ka humbur shumicën e saj në parlamentin italian.
"Le t'ua japim fjalën votuesve", tha Salvini në një deklaratë.
Lideri i M5S-së, Luigi Di Maio, që është zv/kryeministër dhe ministër i Punës dhe Industrisë, tha se partia e tij është e gatshme për zgjedhje të parakohshme.
Mirëpo, Di Maio tha se parlamenti duhet fillimisht të miratojë reformat që do të zvogëlonin numrin e deputetëve në një votim të caktuar për në shtator, para se të mbaheshin zgjedhjet.
Kryeministri Conte gjithashtu komentoi në lidhje me çështjen.
"Salvini duhet t'u arsyetojë votuesve të cilët besonin në premtimin për ndryshim, arsyet që e shtynë të ndërpresë herët dhe në mënyrë të papritur punën e qeverisë. Nuk është detyrë e ministrit të Brendshëm që t'i bëjë thirrje Parlamentit apo Senatit në mbledhje apo të vendosë kohën e krizës politike. Ky proces institucional duhet të jetë para deputetëve që janë përfaqësues të kombit. Unë premtova se transparenca dhe ndryshimi do të jenë shenjë dalluese e kësaj qeverie dhe unë do ta ruaj këtë deri në ditën e fundit", tha ai.
M5S dhe "Lega Nord" formuan koalicion qeveritar më 1 qershor të vitit 2018, nën udhëheqjen e kryeministrit teknokrat Giuseppe Conte./aa/























