21:34 / 11.08.2019
Evakuohen qindra banorë shkaku i zjarrit në Gran Canaria të Spanjës
Rreth 400 banorë janë evakuuar gjatë së dielës nga disa lagje të Gran Canarias në Spanjë, pasi zonën e përfshiu një zjarr i madh.
Zjarri ka prekur kryesisht Parkun Kombëtar shumë të vlefshëm për këtë vend, por edhe destinacion të njohur mes turistëve.
Shërbimet e emergjencës kanë përdorur aeroplanë dhe helikopterë për ta luftuar zjarrin i cili rrezikon disa qytete dhe parkun në perëndim të ishullit, njoftuan autoritetet.
Zjarri kishte shpërthyer të shtunën dhe ani pse në mbrëmjen e po asaj dite dukej se ishte nën kontroll, sidoqoftë u përkeqësua gjatë natës, duke detyruar banorët lokalë të evakuohen.
Policia beson se zjarri u shkaktua nga dikush që përdori makinë salduese. Të shtunën u arrestua edhe një 55-vjeçar lidhur me rastin.























