Fëmijët që u dërguan në një "kamp pushimesh" për të mos u kthyer më kurrë

Fëmijët që u dërguan në një "kamp pushimesh" për të mos u kthyer më kurrë

Një gjykatë në Belgjikë po heton një jetimore lidhur me pretendimet për rrëmbim dhe trafikim të fëmijëve nga Republika Demokratike e Kongos. Fëmijët u sollën në Belgjikë dhe u birësuan nga familje, të cilave u ishte thënë se janë jetimë. Vite më vonë, testet e ADN-së kanë vërtetuar se në disa raste nuk ishin ashtu.

Qindra milje në veri të kryeqytetit të Republikës Demokratike të Kongos, Kinshasa, është fshati Gemena. Shumica e njerëzve sigurojnë jetesën nga bujqësia ose peshkimi; të tjerët janë marangozë ose shitës në dyqane.

Abdula Libenge, një rrobaqepës 34-vjeçar, është babai i njërës prej katër familjeve në zonë që në maj të 2015 dërgoi një fëmijë larg në Kinshasa në atë që mendonte se ishte një kamp pushimesh.

Fëmijët e tyre nuk u kthyen kurrë më. Pa qasje në përfaqësim ligjor ose ndihmë nga autoritetet lokale, gjithçka që mund të bënin ishte të prisnin.

Rreth dy vjet pasi vajza e Z. Libenge u zhduk, ai pati një vizitë të papritur që më në fund do të hidhte dritë mbi atë që ndodhi.

Gazetarët belgë Kurt Wertelaers dhe Benoit de Freine kishin nisur hetimet për rastin e mashtrimit në vendin e tyre.

Si e zbuluan dy gazetarët  skandalin

Prokurori publik belg kishte indikacione të forta se prindërit biologjikë të një numri të fëmijëve kongolë të birësuar në Belgjikë ishin akoma gjallë, dhe dyshja ishin caktuar për t'i gjetur ato.

Kërkimi i tyre i çoi ata nga Brukseli në rrobaqepësinë e Abdula Libenge në Gemena. Ai i mori brenda një fotografi të vajzës së tij.

"Kjo është bërë ditën kur ajo u nis për në Kinshasa," u tha ai atyre. 

"Ajo ishte shumë e lumtur. Asnjëherë nuk kishim patur rastin të shkojmë në Kinshasa, pasi nuk mund të paguajmë  biletën e avionit. Por asaj ju dha mundësia dhe kjo na bëri krenar."

Ishte një nga disa fotografi të grupit të tre vajzave dhe një djali, të moshës midis dy dhe katër vjeç.

Jashtë një shtëpie tjetër Suriya Moyumbe ishte duke pritur në lot me një foto të vajzës së saj, e cila kur u largua ishte vogëlushe dhe akoma nuk kishte folur.

"Familja e burrit tim më fajëson mua për largimin e saj në atë kamp. Unë kurrë nuk duhet ta kisha bërë atë. Por ne të gjithë menduam se kjo ishte një mundësi e shkëlqyer," u tha ajo gazetarëve.

Wertelaers dhe De Freine u kthyen në Bruksel për të paraqitur provat e tyre dhe prokurori publik më pas udhëtoi në Gemena për të mbledhur ADN-në.

Që nga ajo kohë jetimorja Tumaini në Kinshasa është mbyllur.

Avokatja belge-kongoleze Julienne Mpemba është nën arrest shtëpiak dhe po përballet me kallëzime penale për rolin e saj si drejtuese e jetimores.

Avokati i saj, George Balon Perin, ka thënë se ajo hedh poshtë akuzat, duke shtuar se  klientja e tij nuk po ndiqet penalisht në Kongo, ku ndodhën ngjarjet e pretenduara.

Njerëz të tjerë janë paditur si në Belgjikë dhe Kongo, tha avokati për BBC-së.

'Shuplakë në fytyrë ’për familjet e reja

Në Belgjikë, lajmi tronditi familjet birësuese. Disa prindër adoptues tashmë kishin shprehur shqetësimet e tyre gjatë procesit të birësimit dhe i thanë BBC-së se lajmet konfirmuan frikën e tyre.

"Duke e ditur reputacionin e Republikës Demokratike të Kongos, unë u frikësova shumë, por agjencia e adoptimit me të vërtetë na shtyu drejt saj dhe na siguroi se gjithçka do të ishte e ligjshme," tha një baba, i cili nuk pranoi të identifikohej.

"Ishte si një shuplakë në fytyrë kur e dëgjuam. Kjo është ajo që unë gjithmonë do të kisha dashur ta shmangja. Dhe tani, përkundër dëshirës, kam një fëmijë të vjedhur".

Një nënë e përshkroi se si agjencia i kishte nënvlerësuar shqetësimet e saj sa herë që ngriti kundërshtime. Pastaj një ditë, vajza e saj e birësuar kishte filluar të flasë në frëngjisht për familjen e saj biologjike.

"Një herë kur po i lexoja një përrallë më tha:'Ti nuk je nëna ime!"

"Fillimisht u alarmova, por pastaj u qetësova. Mendova se ajo mund të ketë qenë duke folur për një nënë të përkohshme, mikpritëse me të cilën kishte jetuar para se të vinte këtu. Por jo. Ishte nëna e saj."

Kur historia u përhap në Belgjikë, u përfshinë katër fëmijë. Tani, prindërit birësues të 15 fëmijëve të tjerë janë në pritje të rezultatit të testeve të ADN-së.

Pse birësimet ndërkombëtare mund të jenë një rrezik

"Ka njerëz që nuk e kanë bërë punën e tyre, njerëz që mund të kenë përfituar financiarisht ose në ndonjë mënyrë tjetër," thotë avokati Georges-Henri Beauthier, i cili po vepron për tre nga familjet birësuese.

"Ju duhet t'i shihni të gjithë këta njerëz kolektivisht si një organizatë me të vërtetë kriminale, e cila është e mirë organizuar në Republikën Demokratike të Kongos dhe Belgjikë."

Sipas ekspertit për mbrojtjen e fëmijëve Nigel Cantwell, këto nuk janë raste të izoluara.

"Gjithmonë ka pak anarki në adoptim kur merresh me një vend që nuk është palë në Konventën e Hagës, siç është rasti për Kongon. Ka kaq shumë shembuj gjatë viteve të  fundit, si në Haiti, Guatemala, Vietnami, Kamboxhia. Lista është e madhe ".

Ai beson se ndërmjetësit, përfshirë shtëpitë e fëmijëve, kanë nevojë për rregullim dhe nëse është e mundur, largimin nga procesi.

"Janë pikërisht ata që përfitojnë para. Nëse nuk kontrolloni paratë, nuk do të kontrolloni korrupsionin."

Çfarë do të ndodhë me fëmijët?

Një gjykatë familjare belge do të vendosë përfundimisht për të ardhmen e fëmijëve.

"Do të shqyrtohen rast pas rasti, por çdo zgjidhje do të varet drejtpërdrejtë nga ato që thotë fëmija. Nuk mund të marrim vendime duke u bazuar vetëm tek ajo që ne mendojmë  se është e mirë për një fëmijë pa marrë më parë mendimin e fëmijës," shpjegon z. Cantwell.

Për të gjithë familjet e përfshira, faza tjetër do të jetë e vështirë, dhe Z. Beauthier thotë se prindërit birësues po përgatiten për këtë.

"Ekziston ky refleks njerëzor që do të thotë: "Jo, jo. Ky është fëmija im, nuk do ta lë të shkojë ". Jo. Kjo do të ishte e papranueshme, dhe klientët e mi e kuptojnë mirë këtë ".

Për një baba birësues nuk ka ndonjë rezultat të mirë.

"Ne vërtet pyesim veten: çfarë është më e mira për këtë fëmijë? Dhe ne nuk e kemi përgjigjen. Por vërtet nuk ka një përgjigje. Ne jemi të gjithë humbës në këtë histori."

Në Gemena, Abdula Libenge kishte pak shpresa që vajza e tij të vinte në shtëpi.

"Unë e di se njerëzit do të thonë që ajo është më mirë në Belgjikë. Dhe ju e dini, mbase ajo është, por unë nuk mendoj se i takonte kujtdo që të bënte atë zgjedhje. Dhe ne nuk e morëm atë."