Izraeli ndalon vizitën e dy kongresisteve demokrate
Izraeli do të ndalojë një vizitë të dy kongresisteve amerikane, Rashida Tlaib dhe Ilhan Omar, të cilat planifikuan të vizitojnë Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor, tha zëvendës-ministrja e Jashtme e Izraelit.
"Vendimi është marrë, atyre nuk u lejohet të hyjnë", tha zëvendës-ministrja e Jashtme izraelite, Tzipi Hotovely për Reshet Bet Radio.
Presidenti amerikan, Donald Trump, i kishte sugjeruar më parë Izraelit të mos lejojë vizitën nga Tlaib dhe Omar, dy gratë e para myslimane të zgjedhura në Kongres dhe anëtare të Partisë Demokratike.
"Do të tregonte dobësi të madhe nëse Izraeli do të lejonte vizitën e Omar dhe Tlaib . Ato e urrejnë Izraelin dhe tërë popullin hebre. Nuk ka asgjë që mund të thuhet, ose të bëhet, për të ndryshuar mendjen e tyre. Minesota dhe Michigan do ta kenë shumë të vështirë t'i kthejnë në detyrë. Ato janë një turp!", ka shkruar Trump në Twitter.
Dyshja kanë shprehur mbështetje për lëvizjen pro-palestineze ”Bojkot dhe Sanksione” (BDS). Sipas ligjit të Izraelit, mbështetësve të lëvizjes BDS mund të iu mohohet hyrja në Izrael.
Nuk kishte ndonjë datë të njoftuar për udhëtimin e kongresisteve, por burime të njohura me vizitën e planifikuar thanë se ajo mund të fillonte në fundjavë.























