SHBA teston raketa kryqëzuese pasi braktisi Traktatin INF
BKT
   Bota

SHBA teston raketa kryqëzuese pasi braktisi Traktatin INF

Pentagoni thotë se të dhënat nga testi do të ndihmojnë në zhvillimin e "aftësive me rreze të mesme në të ardhmen".

SHBA ka njoftuar se ka kryer fluturim testues të një rakete konvencionale kryqëzuese të lançuar nga toka, njoftoi Departamenti i Mbrojtjes.

Pentagoni me sukses ka kryer testin në ishullin San Nicolas, California, thuhet në kumtesën e departamentit.

Raketa u lançua të dielën dhe ndodhi shkurt kohë pasi Washingtoni më herët gjatë muajit u tërhoq nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi (INF).

Sipas traktatit, lançimi i raketave të tilla ishte i ndaluar.

"Raketa testuese doli nga lançuesi i lëvizshëm tokësor dhe goditi me saktësi objektivin e saj pas më shumë se 500 kilometrave (310 milje) fluturim", qëndron në kumtesë.

"Të dhënat e mbledhura dhe mësimet e marra nga ky test do të informojnë Departamentin e Mbrojtjes në zhvillimin e aftësive me rreze të mesme në të ardhmen", thuhet gjithashtu në kumtesë.

Traktati INF është parë si gur themel i sigurisë evropiane në epokën pas Luftës së Ftohtë pasi SHBA dhe Bashkimi Sovjetik e nënshkruan atë në vitin 1987. Traktati ndaloi të dyja palët të posedonin dhe të testonin raketa me bazë tokësore me rreze mes 500 dhe 5.500 kilometrash.

Presidenti Donald Trump në tetor të vitit të kaluar njoftoi se SHBA do të tërhiqej nga marrëveshja, duke e akuzuar Moskën se e ka shkelë atë.

Tërheqja e SHBA-ve filloi në shkurt, duke iniciuar një afat gjashtëmujor për palët që t'i kthehen marrëveshjes.

Një ditë pasi SHBA edhe formalisht njoftoi tërheqjen nga traktati, sekretari i mbrojtjes Mark Esper tha se Washingtoni dëshiron të vendosë një raketë konvencionale me rreze të mesme në rajonin e Paqësorit.