18:41 / 26.08.2019
Erdogan: Trupat turke të gatshme të ndërhyjnë në lindje të Eufratit
Trupat tokësore turke pritet të hyjnë në lindje të lumit Eufrat në Siri shumë shpejt, deklaroi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.
“Shpresoj se askush nuk do të përpiqet ta testojë vendosmërinë e Turqisë për të pastruar kufijtë e saj me Sirinë nga terroristët”, tha Erdogan duke folur në një eveniment në qytetin lindor Mush me rastin e 948-vjetorit të Betejës së Malazgirtit.
“Aktualisht, dronët dhe helikopterët tanë kanë hyrë në rajon. Fortifikimet në vendet pranë kufijve tanë po shkatërrohen. Presim që së shpejti në rajon të hyjnë edhe njësitë tona tokësore”, tha presidenti turk.
Erdogan shtoi po ashtu se Turqia është “plotësisht e përgatitur për të realizuar planet e saj”.























