Bolsonaro refuzon ndihmën për zjarret në Amazonë
BKT
   Bota

Bolsonaro refuzon ndihmën për zjarret në Amazonë

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro ka refuzuar ndihmën prej 20 milionë eurosh që vendet e G7-ës ofruan për shuarjen e zjarreve të cilat vazhdojnë prej tre javësh në Amazonë.

Bolsonaro pretendon se pas ideve të tilla për ndihmë të presidentit francez Emmanuel Macron, qëndrojnë qëllime të ndryshme.

“Ne nuk mund të lejojmë që një president, Macron, të lëshojë sulme të paarsyeshme dhe të pavend kundër Amazonës dhe as të fshehë qëllimet e tij të vërteta prapa idesë së një aleance të vendeve të G7-tës të formuar për të shpëtuar Amazonën, sikur ne të ishim një koloni apo një tokë pa pronar”, ka deklaruar Bolsonaro në një postim nga llogaria e tij në rrjetin Twitter.

Ai ka thënë se “për të luftuar me zjarret që vazhdojnë në Amazonë ka biseduar me presidentin e Kolumbisë Ivan Duque, rreth një plani i cili duke bashkuar shumicën e vendeve që ndajnë rajonin e Amazonës, garanton sovranitetin dhe pasurinë natyrore”.

Presidenti brazilian Bolsonaro ka refuzuar propozimin e vendeve të G7-tës për ofrimin e një mbështetjeje prej 20 milionë eurosh për shuarjen e zjarreve pyjore në Amazonë, me idenë se kjo do të dëmtonte sovranitetin.

Në një konferencë për media me presidentin e Kilit, Sebastian Pinera, presidenti francez Macron njoftoi se vendet e G7-tës do të ofrojnë një mbështetje prej 20 milionë eurosh për të shuar zjarret në Amazonë.