Hong Kong, policia përdor gaz lotsjellës ndaj protestuesve
Në Hong Kong, policia përdori të shtunën gaz lotsjellës dhe ujë me ngjyrë blu kundër protestuesve pro-demokracisë.
Megjithëse autoritetet e kishin ndaluar tubimin e së shtunës pas përleshjeve të dhunshme javën e kaluar, demonstruesit e veshur me të zeza sfiduan urdhrin dhe dolën në rrugët rreth parlamentit.
Një ditë më parë, policia e Hong Kongut arrestoi më shumë se 20 aktivistë pro demokracisë dhe ndaloi një marshim të propozuar, në përpjekjet e saj për të shtypur lëvizjen anti qeveritare që po bëhet gjithnjë e më e tensionuar.
Disa ligjvënës, aktivistë dhe udhëheqës të njohur studentorë u akuzuan të premten për shkelje të ligjeve, një hap që kritikët e shohin si përpjekje të qartë për të dekurajuar mbështetësit dhe për t'i dhënë fund protestave gati tre mujore.
Një përpjekje e qytetarëve për të ndaluar një ligj të debatueshëm të autoriteteve që lejonte ekstradimet drejt territorit të Kinës, u shndërrua në fushatë masive për të drejtat demokratike.
Përkrahësit e demokracisë thanë se vendimi i qeverisë për të ndaluar aktivistët do t’i zemërojë më shumë banorët, të cilët kërkojnë zgjedhje demokratike dhe dhënien fund të brutalitetit që tregon herë pas here policia.























